Zbardhen skenarët e protestës së opozitës që do të mbahet sot pasdite në orën 17:00 dhe parashikohet të përfundojë pas 3 orësh. Protestuesit do të mblidhen në 4 pika kyçe të kryeqytetit dhe prej aty do të nisin marshimin drejt Kryeministrisë.
Në protestë do të ketë fjalime të përfaqësuesve të PD ndërsa kryedemokrati, Sali Berisha do të mbajë fjalimin përmbyllës. Ndërkohë kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta do të përcjellë një mesazh nga burgu.
Kujtojmë se Policia e Shtetit ka marrë disa masa me qëllim mbarëvajtjen dhe sigurinë e rendit publik. Njoftohet se gjithashtu do të kufizohet lëvizja në disa akse e segmente rrugore.
-Nga ora 10:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.