Ish-zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati për aferën e inceneratorëve dhe bashkëjetuesja e tij Erjola Hoxha, kanë paditur shtetin shqiptar në Strasburg lidhur me kontrollet e ushtruara në banesën e tyre më datë 9 mars 2023 me vendim të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion (GJKKO).
Në padinë e tij, Ahmetaj pretendon se kontrolli ishte i paligjshëm, pasi në atë kohë ai ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe sipas nenit 73, pika 2 të Kushtetutës, banesa e një deputeti nuk mund të kontrollohet pa miratim paraprak nga Kuvendi.
Po ashtu, në dokument thuhet se Ahmetaj dhe partnerja e tij nuk kishin asnjë mjet efektiv ligjor për të kundërshtuar urdhrin e kontrollit duke pretenduar shkelje të nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe banesës) dhe nenit 13 (e drejta për një mjet juridik efektiv) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Kërkuesi i parë ishte në kohën përkatëse një Anëtar i Parlamentit (AP), dhe kërkuesja e dytë është partnerja e tij. Kërkesa ka të bëjë me kontrollin e kryer më 9 mars 2023 ndaj personit dhe telefonit celular të kërkueses së dytë dhe banesës së përbashkët të kërkuesve, mbi bazën e një vendimi të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të lëshuar më 8 mars 2023.
Vendimi përfundimtar është miratuar nga Gjykata Kushtetuese më 12 dhjetor 2023 dhe u njoftua kërkuesve më 12 janar 2024.
Kërkuesit ankohen se kontrolli i banesës së tyre ishte i paligjshëm, pasi kërkuesi i parë ishte AP në kohën përkatëse, dhe banesa e tij nuk mund të kontrollohej pa autorizim paraprak të Parlamentit (sipas nenit 73 (2) të Kushtetutës); dhe se ata nuk kishin qasje në një procedurë për të kundërshtuar kontrollet në fjalë, në kundërshtim me kërkesat e neneve 8 dhe 13 të Konventës.
A ka pasur shkelje të së drejtës së kërkuesit të parë për respektimin e banesës së tij, të garantuar nga neni 8 i Konventës? Në veçanti, a është kryer kontrolli i banesës në përputhje me nenin 73 (2) të Kushtetutës mbi imunitetin e AP-ve? A ka shteruar kërkuesi i parë ndonjë mjet efektiv juridik në këtë drejtim?
A ofronin legjislacioni dhe praktika vendase mjete procedurale të mjaftueshme për të kundërshtuar ligjshmërinë e urdhrit të kontrollit, mënyrën e kryerjes së kontrolleve të banesës së tyre dhe të personit dhe telefonit celular të kërkueses së dytë, ose sekuestrimin e sendeve në banesën e tyre, siç kërkohet nga nenet 8 dhe 13 të Konventës (shih Brazzi kundër Italisë, nr. 57278/11, §§ 41-48, 27 shtator 2018; Giuliano Germano kundër Italisë, nr. 10794/12, § 95, 22 qershor 2023; Mukhtarli kundër Azerbajxhanit, nr. 39503/17, §§ 216 dhe 217, 5 shtator 2024; dhe Posevini kundër Bullgarisë, nr. 63638/14, § 84, 19 janar 2017)? Në veçanti, a ishte vendimi gjyqësor i 8 marsit 2023 i ankueshëm?
Qeveria ftohet të paraqesë jurisprudencën përkatëse dhe shembuj të shqyrtimit nga gjykatat më të larta të apelimeve të ngjashme”, thuhet në dokument.