Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar në lidhje me mbylljen e sinjalit të News 24 që prej ditës së shtunë.
Në një reagim në Facebook, delegacioni i BE thotë se mosmarrëveshjet midis të gjitha palëve të përfshira duhet të zgjidhen duke respektuar plotësisht ligjshmërinë dhe procedurat e rregullta ligjore.
BE thekson se është e rëndësishme që çdo veprim i ndërmarrë të mos cenojë mundësinë e gazetarëve për të ushtruar lirinë e tyre në përcjelljen e informacionit dhe për të ruajtur konfidencialitetin e burimeve të tyre.
Reagimi i plotë:
Ne po ndjekim nga afër situatën lidhur me Focus Media Group dhe mediat e saj.
Mosmarrëveshjet midis të gjitha palëve të përfshira duhet të zgjidhen duke respektuar plotësisht ligjshmërinë dhe procedurat e rregullta ligjore.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme që çdo veprim i ndërmarrë të mos cenojë mundësinë e gazetarëve për të ushtruar lirinë e tyre në përcjelljen e informacionit dhe për të ruajtur konfidencialitetin e burimeve të tyre.
Këto janë aspekte thelbësore të lirisë dhe pluralizmit të medias, që janë kritike për garantimin e shtetit të së drejtës.