Prej 4 ditësh televizioni News 24 ka ndëprerë sinjalin pas ndërhyrjes së policisë mëngjesin e së shtunës në godinë, e cila i kalon kompanisë “KAYO”.
Ditën e djeshme gazetarët e këtij televizioni, por edhe kolegë të tyre protestuan dhe duke e vënë theksin të cënimi i medias dhe fjalës së lirë.
Ndërkohë gazetarët kanë raportuar përgjatë orëve të fundit se janë marrë kompjuterat dhe materialet e punës së gazetarëve. Gjithashtu janë sekuestruar, pa vendim gjyqësor, edhe tavolinat e karriget e zyrave.
Njëkohësisht ka të dhëna se janë çmontuar nga ambientet e News24, edhe pajisjet e transmetimit.
“E gjithë çfarë ndodhi sonte në News24 ishte e paprecedentë. Aksesi në materialet e gazetarëve nga persona të panjohur, është antikushtetues. A palogjikshme sesi preken sendet personale të gazetarëve, të cilët kanë nëpër kompjuterat e tyre dosje korrupsioni, dosje kriminale, të dhëna të tjera, që mund të çojnë në identifikimin e burimeve të tyre. Kjo është shumë e rrezikshme. Të gjendur në këtë situatë, kërkuam të ndalojmë kamionët me sendet tona, kompjutera, dokumenta, etj. Por Policia e Shtetit, duke mosrespektuar ligjin, vendosi të na shtynte e të lironte rrugën e kamionëve të paligjshëm” -shkruan gazetari Osman Stafa.
Edhe gazetarja Klodiana Lala ka shkruar në Facebook-un e saj, se dosjes sekrete bashkë me kompjuterin i janë konfiskuar në mënyrë arbitrare.
“Dosjet e mia, qe kane shume sekrete brenda, me te cilat po punoja, kompjuterin tim e cdo pajisje tjeter qe me nevojitet per te ushtruar profesionin jane konfiskuar ne menyre arbitrare nga Ard Veliu. Po e quaj Kambale sic e therrisnin policet, shume prej te cileve iu shkaterroi karrierren. Kambalen do mbaj mend si shoferin personal te Eskobarit, si kryepolicin qe perdori foton e nje skenari filmi per te denigruar nje grua, djalin e te cilit e kishte dhunuar policia. Si njeriun e skandalit te gradave dhe sherbetorin e verber te pushtetit.
Meqe dosjet i ke konfiskuar, lexoji se mbase gjen dhe emrin tend!”- shkruan Lala në postimin e saj.
Më herët pati edhe një reagim nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ku denoncohej se persona të paidentifikuar janë futur në godinë dhe kanë marrë sendet personale të gazetarëve.
“Sipas kolegëve në terren, në këto pajisje ndodhen materiale dhe investigime mbi korrupsionin, të cilat jo vetëm përbëjnë prova të mundshme në shërbim të transparencës publike, por gjithashtu rrezikojnë seriozisht jetën e gazetarëve dhe burimeve konfidenciale që i kanë siguruar ato”- thuhej ndër të tjera në reagim.