New York Times paralajmëroi tërheqjen e Biden nga gara, reagon Shtëpia e Bardhë: Pretendim i rremë

Prestigjozja amerikane, New York Times shkruan se presidenti i SHBA-ve, Joe Biden i tha një aleati kryesor se ai e di se mund të mos jetë në gjendje të “shpëtojë” kandidaturën e tij nëse dështon për të bindur publikun në ditët në vijim se ai është i përshtatshëm për postin që mban.

Presidenti, tha aleati i tij kryesor, është ende i përkushtuar ndaj betejës së tij për të rifituar një tjetër mandat. Megjithatë, ai e kupton se paraqitjet e ardhshme janë vendimtare dhe duhet të shkojnë mirë. Programi i tij përfshin një intervistë me George Stephanopoulos të ABC News të premten, si dhe ndalesa të fushatës në Pensilvani dhe Wisconsin.

Tashmë, shoqëria amerikane po shpreh shqetësime si për qëndrueshmërinë e tij si kandidat, ashtu edhe nëse ai mund të përmbushë kërkesat e postit të presidentit amerikan për katër vjet të tjerë.

Në përgjigje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Andrew Bates reagoi në “X” duke thënë se ky pretendim është absolutisht i rremë.