Prej 14 muajsh mazhoranca kishte vendosur që të mos kalonte për votim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e mandatit të Olta Xhaçkës, deri javën e kaluar, kur kjo çështje kaloi në Komisionin e Mandateve.
Sot, Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë nëse mandati i Xhaçkës do të kalojë për shqyrtim në Kushtetuese, por burime për Media Ditarin bëjnë me dije se mazhoranca do të vijojë ta mbrojë ish-ministren, ashtu siç ka bërë për më shumë se 1 vit.
Ish-ministrja është në konflikt interesi, pasi në kohën kur ishte ende anëtare e qeverisë, bashkëshorti i saj Artan Gaçi fitoi statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti në Gjilekë të Himarës.
Por pas hetimeve të SPAK, rezultoi se kjo tokë ishte tjetërsuar, ndaj u vendos nën sekuestro, ndërkohë që u arrestuan ish-kryebashkiaku Jorgo Goro, ndërsa është nën hetim Artan Gaçi.
Ndërkohë, pavarësisht të gjitha këtyre shkeljeve të vërtetuara nga SPAK dhe kërkesës së Gjykatës Kushtetuese, Olta Xhaçka duket se do të mbrohet sërish nga “nëna parti”, që lëshon në “gojën” e drejtësisë vetëm ata që i publikojnë skandalet, siç ishte rasti i Arben Ahmetaj.
Deri sa Olta Xhaçka të heshtë, ajo do të jetë e qetë në “gjirin e nënës parti”, që ka vendosur ta mbrojë deri në fund.