“Në Venecia u derdh para e madhe kundër meje”, Meta tregon gabimin e tij: Kush është me mua të qëndrojë këtu

Kreu i PL, Ilir Meta ka paralajmëruar nga konventa që po mbahet ditën e sotme në Pallatin e Kongreseve, të gjithë anëtarët e saj se kush është pro tij të qëndrojë dhe të tjerët të ikin, kur ai të zgjidhet president.

Gjatë fjalës së tij, Meta tha se ka bërë shkollën e Ramiz Alisë, Fatos Nanos, Sali Berishës etj., ndërsa tha se gabimi më i madh që bëri si kryetar i LSI ishte që lejoi djegien e mandateve.

Për këtë ai u ka kërkuar falje të gjithë shqiptarëve.

Meta ka hedhur sërish akuza të forta duke iu referuar Ramës dhe Taulant Ballës, ndërsa tha se në Komisionin e Venecias është hedhur para e madhe kundër tij, në kohën kur ishte president.

Kujtojmë se në 2019, Komisioni i Venecias publikoi një raport, pas hetimeve për vendimin e Presidentit Meta për anulimin e 30 qershorit për zgjedhjet lokale. Në raport, Venecia shkruante se Meta kishte tejkaluar kompetencat që jep Kushtetuta, por nuk mund të shkarkohek.

“Unë dua tu them një gjë gjithë Shqiptarëve, e dinë që unë Kushtetutën jo që nuk e kam shkelur, dhe këtë e ka thënë dhe Venecia ku është hedhur para e madhe kundër Presidentit. Një gabim e kam bërë unë, kam bërë gabim që natën e  zgjedhjeve, pasi u zgjova nga ora 2 e natës në Vlorë, për të bërë presion ndaj mafias, që nxitën dhunë e vrasje në Elbasan, që kishin plan ta linin opozitën me 20 mandate, unë i vetëm bëja presionin që duhet të bëja për të shpëtuar pluralizmin. Më dhimbsej partia ime që kisha krijuar, me po po, jo-jo. Kush është me Ilir Metën, nëse votohet president, do të rrijë me Ilir Metën. Kush qëndron këtu për të bëra lojërat e atij torollaku, e ka shumë gabim, se Ilir Meta ka bërë shkollën e Ramiz Alisë, Fatos Nanos, Sali Berishës, etj. Ndaj gabimi që unë bëra, filloi me 9% numërimi i LSI, kur u zgjova unë vajti me 6%. E dija që ishin dy kompani izraelite, që kishin lidhje bashkë që punon një për Ramën e një për Lulin, kundër LSI. Dogjën mandatet, bëra gabim që fola me dy deputetët, por duhet ti kisha marrë të gjithë”, tha Meta.