Në qeli prej 4 muajsh, Gjykata e Posaçme vendos sot për fatin e Fredi Belerit

I mandatuari për Bashkinë Himarë, Fredi Beleri do të njihet sot me vendimin që do të përcaktojë nëse dosja që SPAK ka depozituar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), do të merret apo jo në gjykim nga togat e zeza të kësaj gjykate.

Nga banka e të akuzuarit, Beleri do të njihet me faktin nëse do të merret zyrtarisht i pandehur nga GJKKO për akuzën e korrupsionit zgjedhor në vendoret e 14-majit, do të “zhvishet” nga kjo akuzë apo do të rihetohet nga prokurorët e posaçëm.

E ashtuquajtura “Çështja Beleri”, ka vendosur përballë Tiranën dhe Athinën zyrtare, pasi jo më larg se ditën e djeshme përmes korrespondentëve grekë ka ardhur edhe reagimi i DASH. Departamenti Amerikan iu është përgjigjur korrespondentëve duke iu nënvizuar faktin se është në dijeni të dosjes, ndërsa është duke pritur vendimmarrjen e Gjykatës Speciale të Shqipërisë.

Pas pretendimeve se qëndrimi i Belerit në qeli, është politik, shteti helen paralajmëruar vendosjen e vetos sa i takon anëtarësimit të vendit tonë në Union.

Po ashtu, asambleja politike e Partisë Popullore Europiane, një grup me 82 parti konservatore, të djathta, përmes një rezolute i bënë thirrje shtetit shqiptar të lirojnë nga burgu me argumentin se është shkelur parimi që prezumon pafajsinë e tij.

Sakaq, shefi i ekzekutivit, Edi Rama i është përgjigjur zërave duke thënë se “dosja Beleri” është çështje që i përket ekskluzivisht gjykatës.

Beleri u kap në kushtet e flagrancës së blerjes së votave, ndërsa apelet e tij në gjykatat shqiptare kanë qenë të shumta dhe në të gjitha shkallët. Një javë më parë avokati i Fredi Belerit iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë për të kundërshtuar pikërisht kushtet e flagrancës e për të shpallur të paligjshme përgjimet e Prokurorisë së Vlorës, që e çuan atë në burg.

Ditë më parë, Ditar Media, ka bërë publike tabulatet e zbardhura të përgjimeve që çuan pas hekurave të zgjedhurin për kryebashkiak të Himarës, Fredi Beleri.