Në listën e sigurt të PS, Iris Luarasi: Meritë e Ramës që Shqipëria nuk është më ai vendi vetëm me kriminelë

Iris Luarasi, e cila kandidon në listën e sigurt të Partisë Socialiste për Tiranën, ka treguar se përse kryeministri Edi Rama  e zgjodhi në garën e 11 Majit.

Luarasi, e cila në studiot televizive ka mbrojtur qeverinë, ka thënë se pikërisht një ndër arsyet se përse Rama e zgjodhi ishin daljet që ajo ka bërë.

“Unë do jem prap në studio televizive, do bëj atë që kam bërë gjithmonë. Në fakt PS këtë gjë ka parë si vlerë të shtuar te unë dhe që më ka ofruar këtë mundësi për të qenë pjesë e saj, përndryshe për çfarë duhet të isha unë atje?”- tha Luarasi në një intervistë televizive.

Luarasi nuk u kursye për t’i bërë qejfin kryeministrit Edi Rama, si një formë shpërblimi që e vendosi në listën e sigurt në zgjedhjet e 11 Majit ndërsa kritikoi PD se në listën e mbyllur nuk ka futur njerëz të rinj.  Sipas Luarasit, me Ramën në pushtet, ka ndryshuar edhe qasja ndaj Shqipërisë, që nuk është më ai vendi me kriminelë.

“Unë jam dëshmitare, ashtu si edhe ti Shqipëria nuk është më ai vendi vetëm me kriminelë dhe ka ndryshuar qasja që ne kemi kur shkojmë jashtë. Nuk ka dëgjuar vetëm lajme me mafia, me përdhunime me vrasje, e gjitha kjo i dedikohet asaj force që është në pushtet në këto 12 vitet e fundit për të treguar se cili ka qenë PR i madh që i është bërë Shqipërisë. Kjo nuk është e thjeshtë. Ta kthesh në një gje të zezë në të bukur do investim dhe mençuri nga mbrapa. Kush do ta mendonte që Shqipëria do të ishte një nga 5 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara? Aq më shumë në një moment kritik për botën, sic ishte lufta në Ukrainë”- tha Luarasi duke shtuar se me Ramën në pushtet, drejtësia nuk është më e lidhur me politikën.