Në Kongresin Amerikan flitet për Shqipërinë, si u përdorën paratë e USAID për të goditur opozitën

Në Komisionin e Posaçëm për Efikasitetin në Qeverisje në Kongresin Amerikan, është ngritur edhe çështja e përdorimit të parave të USAID në Shqipëri.

Gazetari investigativ dhe autori i njohur, Tyler O’Nei, ka bërë një deklaratë të fortë, pasi deklaroi se paratë e USAID janë përdorur për të persekutuar liderin demokrat Sali Berisha.

“Fondacionet e Shoqërisë së Hapur dhe USAID kanë financuar së bashku  ‘East West Management Institute’. Mes të tjerash Instituti ndërmori ndryshime gjyqësore në Shqipëri, që kritikët akuzojnë se rezultuan në persekutimin e liderit të opozitës shqiptare Sali Berisha, duke i mbyllur gojën kundërshtarit të kryeministrit socialist të vendit”, tha O’Neil. 

Drejtuesja e Komisionit, ligjvënësja Marjorie Taylor Greene, ngriti disa pyetje në lidhje me mënyrën si janë përdorur fondet e USAID, mes të cilave ishte edhe pyetja për përndjekjen që i është bërë liderit të opozitës shqiptare, Sali Berisha.

“Pse u përfshi USAID në financimin e ndryshimeve gjyqësore në Shqipëri që rezultuan në ndjekjen penale të liderit të opozitës shqiptare? Pse po financon USAID ligjet e censurës në Brazil për të heshtur Bolsonaron? Pse u përfshi USAID në financimin e luftës civile në Siri? Ajo që kemi mësuar këtu sot është se USAID është përdorur si vegël nga demokratët për t’i bërë lavazh truri botës me propagandë globaliste, për të nxitur ndryshimin në regjimet anembanë në botë. Nëse ky është financimi që ka ardhur nga USAID, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, duhet të shpërbëhet.”, tha Greene.

Kujtojmë se Presidenti Donald Trump  ka pezulluar pothuajse të gjitha programet e financimeve për vendet e huaja, teksa Elon Musk ka kërkuar mbylljen e USAID, të cilën e ka cilësuar si një organizatë kriminale.

Në vendin tonë, USAID ka dhënë mbështetje financiare edhe për forcimin e institucioneve shqiptare, por edhe për shoqërinë civile.

Në një liste që ka rrjedhur në media, e cila është marrë nga lista e pagave që doli në publik në vitin 2021, shihen edhe rrogat që marrin drejtuesit e këtyre organizatave.

Pagat variojnë nga 2 milionë lekë më e ulëta e deri në 30 milionë lekë te vjetra.

Lexo edhe: Debati për fondet e USAID, pagat e drejtuesve të OJQ-ve në Shqipëri shkonin deri në 30 milionë lekë (LISTA)

Vlen të përmendim se në Shqipëri janë regjistruar disa qindra organizata jo-qeveritare, sipas Regjistrit të Agjencisë qeveritare të Mbështetjes së Shoqërisë Civile (AMSHC). Pjesa më e madhe e tyre janë organizuar në format e Fondacionit, Shoqatave e Lëvizjeve.