Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se pas heqjes së pjesshme të masave të Bashkimit Europian ndaj Kosovës, 205 milionë euro pritet të lëshohen në fillim të vitit të ardhshëm.
Bashkimi Europian ka vendosur t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm, duke ia mundësuar vendit të përfitojë miliona euro ndihmë financiare qysh në fillim të vitit 2026.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Bashkimi Europian do t’i heqë të gjitha masat ndaj Kosovës në fund të janarit të vitit të ardhshëm.
Të mërkurën në mbrëmje, në një deklaratë pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Osmani ka thënë se ka marrë konfirmimin nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, se masat do të hiqen tërësisht në janar.
“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit”, ka thënë ajo.
Të martën, BE-ja hoqi një pjesë të masave ndëshkuese të vendosura më 2023. Sipas letrës nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Bashkimit Europian, Gert Jan Koopman, janë liruar mjetet financiare për katër projekte si rrjedhojë e asaj që është vlerësuar “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri”, pas zgjedhjeve të tetorit.
Ndërkohë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se pas heqjes së pjesshme të masave të Bashkimit Europian ndaj Kosovës, 205 milionë euro pritet të lëshohen në fillim të vitit të ardhshëm.
Von der Leyen vendimin për t’i hequr një pjesë të masave të vënë Kosovës e ka quajtur lajm të mirë, teksa ka njoftuar se do të vazhdohet me heqjen e tërësishme të tyre.
“Jam e lumtur të njoftoj se po ecim përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. Po programojmë 216 milionë euro ndihmë financiare dhe kemi ndërmend të lëshojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm”, ka shkruar të mërkurën Von der Leyen në platformën “X”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka përshëndetur fillimin e heqjes së masave të Bashkimit Europian ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si një lajm të mirë për vendin.
“Fillimi i heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës është një lajm i mirë dhe një vendim i drejtë. Qytetarët tanë nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka falënderuar partnerët evropianë për mbajtjen e premtimit dhe ka theksuar nevojën për një fazë të re në raportet me Bashkimin Europian.
BE-ja veçse i kishte hequr gjysmën e masave në fillim të kësaj jave, por nuk ishte e qartë se ato do të hiqeshin plotësisht pas një muaji, pasi thuhej se vende si Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, nuk kishin vullnet për heqjen e të gjitha sanksioneve.
Zyrtarët në Kosovë kanë kërkuar me këmbëngulësi vazhdimisht nga BE-ja t’u japë fund masave ndëshkuese, të cilat i shkaktuan vendit dëme në vlera milionëshe.
Ata argumentonin se gjendja në veri ishte shtensionuar tashmë pas zvogëlimit të pranisë së Policisë në ndërtesat komunale, pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e sivjetshme dhe kalimi i pushtetit tek serbët lokalë në mënyrë paqësore.
Këto masa ndëshkuese i kishin kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Për shkak të kalimit të afateve, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht, sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara – GAP.
Sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin, me 350 milionë euro, energjinë me 114 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro, dhe kulturën me 15 milionë euro.
Prej këtyre fondeve, rreth 218 milionë euro kanë qenë për projekte në kuadër të Instrumentit para-anëtarësimit (IPA II dhe IPA III), dhe rreth 395 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës për Investime të Bashkimit Europian për rajonin e Ballkanit Perëndimor (WBIF). Monitor