Në burg për vrasjen e Fatbardh Licit, Safet Bajri apelon vendimin e GJKKO-së

Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri kanë ankimuar vendimin e GJKKO që i la në burg në lidhje me vrasjen e Fatbardh Licit në Shkodër, ngjarje e ndodhur në vitin 2018. Do të jëtë gjyqtarja Tereza Merkaj, e cila do të shqyrtojë ankimimin e tyre në Apelin e GJKKO-së.

Sipas hetimeve të SPAK, vrasja e Fatbardh Licit erdhi si hakmarrje për ekzekutimin e ish-policit Boran Bërçana dhe partneres së tij Silvi Ndoci. Skena e krimit tronditës në korrik të 2018-ës ka ndodhur përpara syve të djalit 2-vjeçar.

Ndërkohë SPAK po kryen hetime për Safet Bajrin si i përfshirë edhe në masakrën në Dobraç, ku mes 4 viktimave ishte edhe vëllai i Ibrahim Licit, Hamza Lici.

Njoftimi

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, regjistroi çështjen penale nr. 20 akti, datë 13.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve S.R., A.B., B.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 12, datë 17.02.2025 dhe vendimit nr. 22, datë 24.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal.

Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtare Tereza Merkaj.