Në burg për tjetërsim pronash, shtyhet seanca paraprake në GJKKO për Jorgo Goron

Është shtyrë për më datë 1 nëntor seanca paraprake ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i cili ndodhet në burg për tjetërsim pronash.

Mosprezenca e një prej avokatëve të palëve të përfshirë në këtë çështje, u bë shkak për shtyrjen e seancës, ndërkohë vetë Goro ka qenë i pranishëm. Ish-kryebashkiaku Goro së bashkë me disa ish-zyrtarë të bashkisë akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë të përfshirë në tjetërsimin e pronave në favor të bashkëshortit të ish-ministres Olta Xhaçka, i shpallur investitor strategjik nga qeveria.

Bëhet fjalë për dy sipërfaqe toke të tjetërsuara, të dyja rreth 10 mijë m2, e cila tashme ndodhet e sekuestruar me vendim te GJKKO. 

Kujtojmë se në shtator, SPAK përfundoi hetimet dhe bëri kërkesë në Gjykatën e Posaçme për kalimin e dosjes për gjykim.