Në Arrëzën e braktisur të “100 fshatrave”

Najada Pendavinji

Arrëza është një ndër fshatrat e bukur të Shqipërisë. Shtrihet në lartësinë 1030 m mbi nivelin e detit, në qendër të luginës së lumit Devoll. Është një vendbanim i hershëm dhe me tradita në kulinari. Arrëza ishte dikur një fshat me rreth 1000 banorë. Vit pas viti prej andej janë larguar shumica dhe atje kanë mbetur më pak se 150 banorë, kryesisht të moshuar.

Të tjerët janë larguar jashtë shtetit, Greqi, Gjermani, Francë apo diku tjetër sipas mundësive që kanë pasur.

Prej vitit 1990 nga Arrëza janë larguar rreth 100 familje. Në fshat kanë mbetur shumë pak dyer të hapura pasi pjesa më e madhe janë në emigracion.

“Djali po bën 27 vjet që është në Greqi, që kur është prishur sistemi. Nuk është kthyer. Atje është me familjen, ka dy çuna dhe një gocë”,thotë një prej banoreve.

Ndër të vetmet raste të kthimit janë arrëzarë që kanë dalë në pension.

“Jam 66 vjeç, kam dalë në pension para një jave. Jeta ime është midis Arrëzës dhe Tiranës. Tani do të jetë 90% në Arrëz dhe 10% në Tiranë. Malli për vendlindjen më ka bërë që unë të shkruaj librin e parë “Dashuri dhe mall për Arrëzën”. Fillova të mendoj se çfarë mund të bëjmë për Arrëzën, ai grup që mblidheshim në Tiranë”.

Kanë mbetur rreth 10 a 15 të rinj në fshat por edhe ata janë në pritje për t’u larguar nga Arrëza.

Në fshat mund të kenë mbetur vetëm 10-15 të rinj. Të gjithë duan të ikin përvec njërit prej tyre. Megi Karameta është një i ri që ka vendosur të mos largohet nga Arrëza. Ai thotë se po vazhdon arsimin profesional dhe e ka projektuar të ardhmen e tij në këtë fshat.

“Jo, jo nuk iki, Arrëzën nuk e ndërroj me asgjë. Arrëza ka çdo gjë dhe nuk e ndërroj me asnjë vend. Prindërit jetojnë këtu. Unë jetoj këtu me mamin me gjyshin dhe me gjyshen”, thotë ai.

Donika Braholli nuk e ka fatin e gjyshes së Megit që të ketë pranë fëmijët, nipër e mbesa. Ajo jeton e vetme si shumë të moshuar të tjerë në Arrëz. Ditët e netët e gjata në vetmi, nisin e sosen me mallin për fëmijët.

“Unë banoj vetë këtu. Burri ka 6 vjet që më ka vdekur”.

Ju merr malli për fëmijët?

“Jashtë mase shumë. Jam rehat, nuk kam ndonjë shqetësim nga ndonjë gjë tjetër por për fëmijët jam shumë e mërzitur”, thotë ajo.

Donika është 74 vjeçe, një moshë që shpesh mund të ketë nevoja për ndihmë qoftë edhe për një vizitë te mjeku. Ajo i përballon të gjitha hallet e jetës e vetme ashtu si shumë shoqe të saj.

Pensioni është i pamjaftueshëm për t’i përballuar listat e gjata të shpenzimeve ku peshën kryesore e zënë ilaçet.

“Kemi infermieren që vjen ditën këtu derisa plotëson orarin e punës dhe kur vjen data që na takojnë ilaçet, na i sjell ajo”

Shumica e banorëve të Arrëzës janë të moshuar e kanë të njëjtat halle me Donikën. Por mesa duket janë mësuar me vetminë sfilitëse e përpiqen të mbijetojnë.

“Detyrimisht na merr malli sidomos për fëmijët që kemi larg në Greqi… dy pleq vetëm në shtëpi pa fëmijët na merr malli por ashtu erdhi koha”.

Ata nuk shpresojnë shumë tek premtimet se Arrëza do të kthehet në destinacion tusirisik.

“Shteti?!  Sa na dha Rama për çështje të votimit përpara. Dmth para votimeve na ka dhënë një herë 80 një herë 50 mijë lekë. Nuk kam takuar asnjë kryetar bashkie. Erdhën e bënë mbledhje para votimeve por mosha bën të sajën e nuk dal aq shumë. Nuk morëm vesh fare kur erdhi ai kryetari e bëri mbledhjen atje të lokali”.

Arrëza është një ndër 100 fshatrat e projektuara për t’u kthyer në destinacion turistik. Është pjesë e programit “100 fshatrat” i publikuar me bujë pesë vite më parë. Projekti, i cili duhet të kishte përfunduar një vit më parë, nuk ka lënë asnjë gjurmë në Arrëz. Prej pesë vitesh arrëzarët presin që të mbërrijë atje dora e shtetit për t’i dhënë fshatit vlerën që i takon.