Në 300 kopshte e çerdhe të inspektuara në Tiranë, gjysma e tyre dalin të palicencuara

Pas publikimit të skandalit në një kopësht privat ku një 3 vjeçare u dhunua nga edukatorja e cila i theu këmbën, policia dhe ministria e Arsimit njoftuan se nisën kontrollet në këto institucione.

Ditën e sotme ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka bërë të ditur se nga kontrolli i ushtruar në kopshtet dhe çerdhet e Tiranës, të cilat ushtronin aktivitet pa licencë, janë proceduar penalisht 129 pronarë dhe administratorë të këtyre subjekteve, ndërsa 18 janë gjobitur.

Pra sipas deklaratës së Ballës gjysma e këtyre subjekteve kanë operuar duke shkelur ligjin. Pra Ministria e Brendshme e “shet” këtë zbulim si një arritje të policisë së shtetit kur në fakt është alarmuese të mësosh se janë gati 150 kopshte private që kanë funksionuar pa u licencuar në kryeqytet. Ministri nuk ka përmendur arsyen se përse këto subjekte janë lejuar të operojnë deri tani dhe a do të ishin zbuluar ato, nëse nuk do të ishte bërë publik rasti i tre vjeçares.

“Tiranë📍#PaketaeSigurisë në shkolla përfshin edhe kopshtet dhe çerdhet. Policia e Shtetit👮👮‍♂️ kontrolle në 300 çerdhe dhe kopshte, procedohen penalisht 129 pronarë/administratorë të këtyre subjekteve, ndërsa 18 të tjerët gjobiten administrativisht”, thuhet ne postimin e ministrit të Brendshëm.