Ndryshim i papritur, Adrian Çela largohet nga OSHEE

Adrian Çela nuk do të jetë më administrator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Një nga drejtorët më të rëndësishëm gjatë qeverisjes socialiste dhe një nga njerëzit më të besuar të Ramës, në krye të OSHEE që nga dhjetori i vitit 2014, është larguar nga detyra. Atij i ka përfunduar mandati, ndërkohë që nuk ka ardhur rinovimi i detyrës së tij nga Ministria e Energjitikës.

Nuk ka ende një emër të përfolur për zëvendësimin e tij, teksa deri në emërimin e drejtorit të ri, administrimin e OSHEE do ta marrë përsipër Bledian Dalipi, i cili aktualisht është drejtor i Rrjetit të Transmetimit OST.

Kujtojmë se Adrian Çela ka qenë edhe drejtues i fushatës në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e vitit 2021, duke qenë një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Rama. Shpeshherë ai është akuzuar nga opozita për lidhje me bandat apo edhe për shitjen e energjisë me çmim më të ulët, që sipas deputetëve opozitarë, i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit miliona euro dëm.