Ndodh për herë të parë, realizohet transplanti i mëlçisë nga derri te njeriu

 Transplanti i parë i mëlçisë së një derri në një marrës njerëzor është kryer nga shkencëtarët në Kinë.

Studiuesit në Universitetin e Katërt Ushtarak Mjekësor në Xi’an, në Kinën veriperëndimore, përdorën një mëlçi të marrë nga një gic, i cili ishte modifikuar gjenetikisht për të zvogëluar rrezikun e refuzimit.

Mëlçia prodhoi me sukses biliare dhe mbajti rrjedhjen e qëndrueshme të gjakut pasi u vendos në një person të vdekur klinikisht, por ende i gjallë.

Shkencëtarët më pas monitoruan aftësinë e mëlçisë për të kryer funksionet thelbësore, rrjedhjen e gjakut dhe përgjigjet e saj imune dhe inflamatore për një periudhë prej 10 ditësh.

Studiuesit shpresojnë se organi mund të përdoret si një trajtim i mundshëm në të ardhmen për pacientët me dështim të mëlçisë në pritje të donatorëve njerëzorë.

Profesor Lin Wang, autor i studimit, të botuar në revistën ”Nature”, tha se “mëlçia e mbledhur nga gici modifikuar funksionoi shumë mirë në trupin e njeriut. Është një arritje e madhe”.

“Ky operacion ishte vërtet i suksesshëm”, shtoi Wang.

“Ne ekzaminuam rrjedhën e gjakut në enët dhe arteriet e ndryshme. Rrjedha është shumë e qetë. Ka funksionuar shumë mirë”, theksoi ai.

Eksperimenti u ndërpre pas 10 ditësh për shkak të kërkesave të bëra nga familjarët e pacientit.

Mëlçia kishte gjashtë nga gjenet e saj të modifikuara për të përmirësuar përputhshmërinë kur transplantoheshin te njeriu.

”Gjetjet sugjerojnë se mëlçitë e modifikuara mund të mbijetojnë dhe të funksionojnë në trupin e njeriut, por nevojiten kërkime të mëtejshme mbi rezultatet afatgjata”, sipas  studimit.

Rafael Matesanz, themeluesi i Organizatës Kombëtare të Transplantit në Spanjë, tha se “ky është rasti i parë në botë i transplantimit të një mëlçie derri të modifikuar gjenetikisht në një njeri të vdekur klinikisht”.

”Transplantimi i mëlçisë është trajtimi më efektiv për sëmundjet e mëlçisë në fazën përfundimtare, por kërkesa për mëlçi dhuruese e tejkalon shumë ofertën”, sipas studiuesve.

Derrat konsiderohen si një burim alternativ i organeve për shkak të funksioneve dhe madhësisë së tyre të pajtueshme fiziologjike.

Transplanti pason më shumë se 10 vjet kërkime mbi këtë proces te kafshët.