Ndërron jetën nobelisti shqiptaro-amerikan Ferid Murad, shpikësi i Viagrës

Ferid Murad, mjek dhe farmolog i njohur shqiptaro-amerikan, ka ndërruar jetë në moshën 87 vjeçare në shtëpinë e tij në Menlo Park.  Ai njihet në mbarë botën si shpikësi i viagrës, teksa ka marrë edhe çmimin Nobel në Mjekësi.

Murad lindi më 14 shtator 1936 në Whiting në Indiana të SHBA-së dhe ishte djali i Xhabir Murat Ejupi, një emigrant shqiptar nga Gostivari.

Ai është diplomuar në Universitetin e Virxhinias, ku gjithashtu u emërua profesor në vitin 1970. Aty ka punuar deri në vitin 1981, para se të zhvendosej në Stanford.

Studimet e tij janë përqendruar në efektin e nitroglicerinës në trupin e njeriut. Murad ka punuar mbi këtë temë për vite të tëra bashkë me Robert Furchgott dhe Louis Ignarro. Të tre bashkë fituan Çmimin Nobel në 1998.

Ferit Murad ka marrë titullin “Doktor Nderi” nga shumë universitete dhe institucione prestigjioze arsimore-shkencore ndërkombëtare. Gjithashtu, ka titullin “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti i Europës Juglindore në Tetovë.