Ndërpritet seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, teksa kryeministri në detyrë, Albin Kurti kërkoi kohë shtesë për bisedimet për çështjen e Presidentit.
Në mes kundërshtive që u dëgjuan nga deputetët e partive tjera, Kurti nisi fjalimin për bisedimet që pati me dy kryetarë të partive politike, duke mos dhënë emër për kryeparlamentar siç kërkohet nga rregullorja.
“Menjëherë pas certifikimit të rezultateve, ne filluam takimet për konstituimin e institucioneve. E falënderoj kryetarin e PDK’së, Bedri Hamzën për takimin, kryetarin e LDK’së, Lumir Abdixhiku, për takimet. Ato bisedime u pezulluan për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK. Rifillimi i bisedimeve u bë vetëm në këtë javë. Ne duam bisedime edhe me PDK’në edhe me AAK’në, ndonëse refuzimi i tyre është i qartë. Zgjedhjet e 7 qershorit na u shkaktuan sepse në prill s’u zgjodh presidenti. Ne duam të ecim përpara bashkërisht. Por, na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues ashtu siç e kërkon kushtetushmëria. Konstituimi kësaj radhe s’bën të jetë sërish drejt edhe një shpërndarje e Kuvendit dhe përsëri për zgjedhje të paarsyeshme e dëmshme për qytetarët. Prandaj, i nderuar kryesues, Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shtesë që t’u japim shans bisedimeve politike për marrëveshje për President a Presidente të re”.
Pas kësaj kërkesë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu seancën.
“Meqë nuk kemi emër nga subjekti më i madh atëherë obligohem që ta ndërpres seancën, për vazhdimin do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Dehari.
Më herët 120 deputetët e legjislaturës së 11-të u betuan në Kuvendin e Kosovës, duke marrë zyrtarisht mandatin e tyre të ri. Para betimit, Kuvendi miratoi me 120 vota pro raportin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve..