Komisioni Evropian ka paralajmëruar se do të nis hetimet në lidhje me ndërprerjen e energjisë mesditën e djeshme në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe pjesërisht në Kroaci.
Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmetimit për Energjinë Elektrike në një reagim thotë se është duke mbledhur të gjitha të dhënat teknike relevante për këtë ngjarje nga OST-të e prekura dhe do të ofrojë më shumë informacion sa më shpejt të jetë e mundur.
Hetimet që do të kryhen në javët në vijim, do të bëhen me mbështetjen e një paneli ekspertësh.
Rikujtojmë se dje rreth orës 12:20 Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Kroacia u përballën me një ‘black out’ të plotë për të paktën 30 minuta.
Operatori i Sistemit të Transmetimit në Shqipëri sqaroi se defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë, në linjën e Prizrenit. dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin. Nga kryqja fillestare rezulton se volumet e larta të transmetimit si dhe temperaturat ekstreme kane qenë shkaktarët e shkëputjes totale të linjave të transmetimit.
Më pas pati edhe një reagim nga Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila tha se temperaturat e larta e shkaktuan këtë problem ndërsa paralajmëroi se jemi në një zonë rreziku të lartë sepse volumet e transmetimit dhe linjat e interkonesionit janë shumë të mëdha në këto momente.
Reagimi:
Më 21 qershor 2024 rreth orës 12:20, një incident i madh në rrjet ka ndodhur në pjesën juglindore të sistemit energjetik të Evropës Kontinentale. Incidenti rezultoi në ndërprerje të rrjeteve elektrike të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe një ndërprerje të pjesshme në Kroaci. OST-të e prekura, me mbështetjen e OST-ve fqinje, rikthyen energjinë në rrjetet e tyre brenda rreth 2 orësh, duke synuar minimizimin e ndikimit të ndërprerjes tek konsumatorët.
ENTSO-E aktualisht është duke mbledhur të gjitha të dhënat teknike relevante për këtë ngjarje nga OST-të e prekura dhe do të ofrojë më shumë informacion sa më shpejt të jetë e mundur.
Në përputhje me metodologjinë e shkallës së klasifikimit të incidenteve, Komiteti i Operacioneve të Sistemeve i ENTSO-E do të kryejë një hetim të detajuar të kësaj ngjarjeje në javët në vijim, me mbështetjen e një paneli ekspertësh.