Ndahet nga jeta stilisti i famshëm italian, Giorgio Armani

Është ndarë nga jeta në moshën 91 vjeçare, stilisti i njohur italia, Giorgio Armani. Ai u shoqërua në momentet e fundit nga familja dhe Leo Dell’Orco, shoqëruesi i tij i 20 viteve të fundit.

Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur botën e modës, pasi Armani punoi deri në fund. Vetëm pak ditë më parë, ai njoftoi blerjen e restorantit të njohur “La Capannina”, një gjest që e përshkroi si “emocional, një kthim në rrënjët e tij”. 

Disa javë më parë, pak para ditëlindjes së tij të 91-të, një infeksion në mushkëri e detyroi të shtrohej në spital dhe të shërohej në shtëpinë e tij në Via Borgonuovo në Milano, duke e detyruar të anashkalonte, një rast shumë i rrallë, shfaqjen e koleksionit të tij në qershor.

I lindur më 11 korrik 1934 në qytetin Piacenza të Italisë, Armani e nisi rrugëtimin profesional si student i mjekësisë, por më pas braktisi universitetin për të ndjekur pasionin e tij për modën. Fillimisht punoi si stilist për markën Cerruti, përpara se të krijonte markën e tij më 1975, në bashkëpunim me partnerin dhe mikun e tij të ngushtë, Sergio Galeotti.

Që nga ajo kohë, Giorgio Armani ka ndërtuar një perandori shumëdimensionale që përfshin linjat Giorgio Armani, Emporio Armani, Armani Exchange, parfume, orendi luksoze, restorante, madje edhe hotele me 5 yje, si Armani Hotel në Burj Khalifa, Dubai.

Pavarësisht moshës së thyer, Armani nuk hoqi dorë nga drejtimi i markës. Ai mbetet aksioneri i vetëm dhe drejtori kreativ, duke marrë pjesë aktive në vendimmarrje dhe dizajn. Në një intervistë të fundit për Financial Times, ai pranoi se ka filluar të planifikojë kalimin e kontrollit te një grup trashëgimtarësh të përzgjedhur me kujdes, mes të cilëve bashkëpunëtori i tij i besuar Leo Dell’Orco dhe anëtarë të familjes.