Ndahet nga jeta legjenda e futbollit shqiptar, Sabah Bizi

Lajm i trishtë për futbollin shqiptar, pasi ditën e sotme ka ndërruar jetë një nga legjendat e lojës së bukur, Sabah Bizi.

I lindur në 13 nëntor 1946, Sabah Bizi debutoi në moshën 17 vjeçare, për të patur më pas një karrierë të lavdishme me Vllazninë e Partizanin, me të cilat fitoi edhe disa tituj.

Ai ka qenë edhe një legjendë e Kombëtares shqiptare, teksa të gjithë kujtojnë duelet e tij me legjendën gjermane, Franz Beckenbauer, gjatë përballjes me Gjermaninë, kur Bizi ishte vetëm 19 vjeç.

Në atë përballje, Bizi, pasi ishte i shtruar në spital për disa ditë me radhë, u kërkua nga trajneri Loro Boriçi të ngrihej nga shtrati për t’u përballur me Beckenbauer, me Shqipërinë që arriti të ndalë Gjermaninë, që nuk mundi të shkojë në Kampionatin Europian 1968.

Pasi vari “këpucët në gozhdë”, Sabah Bizi vijoi të qëndronte afër dashurisë së tij më të madhe, futbollit, duke drejtuar si trajner Veleçikun e më pas Vllazninë. Sabah Bizi është nderuar me titullin “Nderi i Kombit”, për atë që i dha futbollit shqiptar.

I paharruar kujtimi i tij!