Naim Murseli porositi vrasjen e bashkëshortes, reagon Prokuroria e Prishtinës: Është sekuestruar arma e krimit

Lajmi i vrasjes makabër të Liridona Murselit në automjet, përpara fëmijëve të saj, ka tronditur opinionin publik në Kosovë dhe Shqipëri.

Policia ka arrestuar dy persona, mes tyre edhe bashkëshortin e viktimës, i cili mësohet se ka paguar 30 mijë euro për vrasjen e bashkëshortes.

Pas zbardhjes së detajeve të reja, ka ardhur edhe një reagim zyrtar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria në Prishtinë. Në reagim konfirmohet arrestimi i vrasësit Granit Plava dhe bashkëshortit Naim Murseli, i cili porositi vrasjen.

Bëhet me dije se, policia ka sekuestruar armën që është përdorur gjatë krimit.

Reagimi i plotë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast. Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast. Aktualisht, të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore. Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.