Nafta vijon rënien, pasi Trump sinjalizon mundësi për marrëveshje paqeje me Iranin

Çmimet e naftës shënuan rënie për të dytën ditë radhazi të mërkurën, mes pritshmërive se furnizimet e bllokuara nga rajoni kyç i Lindjes së Mesme mund të rifillojnë, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sinjalizoi mundësinë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin.

Kontratat e naftës Brent ranë me 1.69 dollarë, ose 1.5%, në 108.18 dollarë për fuçi, pasi kishin rënë me 4% në seancën e mëparshme. Ndërkohë, nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u ul me 1.67 dollarë, ose 1.6%, në 100.60 dollarë për fuçi, pas një rënieje prej 3.9% një ditë më parë.

Të martën, Trump deklaroi papritur se do të ndalte përkohësisht një operacion për eskortimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, duke përmendur progres drejt një marrëveshjeje të gjerë me Iranin, pa dhënë detaje konkrete. Nga Teherani nuk pati reagim të menjëhershëm.

Sipas Anh Pham, specialiste e lartë kërkimore për naftën në LSEG, ky zhvillim sinjalizon një ulje të mundshme të tensioneve dhe rrit shpresat për lirimin e anijeve të bllokuara në Gjirin Persik, gjë që mund të rikthejë gradualisht furnizimin në treg. Megjithatë, ajo theksoi se çmimet mbeten të larta për shkak të pasigurisë rreth arritjes së një marrëveshjeje dhe kohës që do të duhet për rikthimin e plotë të flukseve tregtare.

Trump deklaroi se marina amerikane do të vazhdojë bllokadën e porteve iraniane. Mungesa e furnizimit në tregun global ka shtyrë çmimet në rritje, me Brent që javën e kaluar arriti nivelet më të larta që nga marsi 2022.

“Ne kemi rënë dakord që, ndërsa bllokada do të mbetet plotësisht në fuqi, projekti ‘Freedom’ do të pezullohet për një periudhë të shkurtër për të parë nëse marrëveshja mund të finalizohet dhe nënshkruhet”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Njoftimi i tij erdhi vetëm disa orë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, informoi mediat mbi përpjekjet për të eskortuar cisternat e bllokuara në ngushticë. Të hënën, ushtria amerikane bëri të ditur se kishte shkatërruar disa mjete të vogla iraniane, si dhe raketa dhe dronë, gjatë operacionit për të nxjerrë dy anije nga Gjiri përmes ngushticës.

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka ndikuar në uljen e rezervave globale, ndërsa rafineritë përpiqen të kompensojnë mungesat në prodhim. Sipas burimeve të tregut, rezervat e naftës në SHBA ranë për të tretën javë radhazi. Të dhënat e Institutit Amerikan të Naftës tregojnë se rezervat e naftës ranë me 8.1 milionë fuçi në javën që përfundoi më 1 maj. Ndërkohë, rezervat e benzinës u ulën me 6.1 milionë fuçi dhe ato të produkteve të distiluara me 4.6 milionë fuçi krahasuar me javën e mëparshme.