Zgjedhjet e vitit 2025 nuk janë shumë larg, teksa do të na duhet sërish të dëgjojmë lloj – lloj kandidatësh të na kërkojnë votën, sepse mandati i tyre do të na zgjidhë problemet.
Politika në Shqipëri konkurron me futbollin për shikueshmërinë, pasi nuk dështon asnjëherë të na japë kënaqësi me ngjarjet brenda dhe jashtë Parlamentit, që shpeshherë është kthyer edhe në arenë boksi.
Edhe pse jemi një vend i vogël, me shumicën e popullsisë jashtë vendit dhe pa të drejtë vote, sërish na duhet të paguajmë pagat dhe shpërblime për 140 deputetë, pjesës dërrmuese të të cilëve nuk ua kemi dëgjuar zërin asnjëherë.
Sot një deputet merr 3.1 milion lekë të vjetra rrogë, të cilave iu shtohen edhe rreth 2 milionë lekë të tjera përfitime. Janë më shumë se 700 mijë euro në muaj që dalin nga Buxheti i Shtetit vetëm për pagat dhe përfitimet e 140 deputetëve.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në Shqipëri militojnë 132 parti politike, por pjesa më e madhe e tyre janë pa adresë zyrtare, teksa “mbijnë si kërpudha pas shiut” sa herë që ka zgjedhje, duke marrë ndonjë zyrë të vogël me qira.
Nga këto 132 parti, vetëm 11 prej tyre kanë marrë fonde në vitin 2023 nga KQZ. Atyre iu shpërndanë 3.2 milionë euro, ku pjesën e “luanit” e mori Partia Socialiste, ndërsa më pas Partia Demokratike e Lulzim Bashës, pavarësisht se i kanë mbetur vetëm 9 deputetë.
Që prej vitit 2013, qytetarët kanë parë çudira me listat e kandidatëve për deputetë, nga partitë e vogla, por edhe nga dy kryesoret, PS dhe PD. Në karriget e Kuvendit, për të votuar dhe miratuar edhe ligjet më të rëndësishme, janë ulur edhe njerëz që nuk e kanë patur idenë se për çfarë e kanë ngritur kartonin jeshil.
Një pjesë e mirë e tyre të vetmen punë në jetë kanë atë të “deputetit”, pasi janë futur në politikë për shkak të lidhjeve familjare me kryetarët e partive apo falë mundësive ekonomike që kanë, disa herë duke blerë vota, e disa të tjera duke mbushur xhepat e kryetarëve për të qenë në pjesën e sipërme të listës.
Vitet e fundit është rritur numri i deputetëve të cilëve u janë zbuluar lidhjet me grupet kriminale, apo kanë lënë mandatet për korrupsion dhe shkelje të tjera të ligjit, çfarë tregon më së miri nivelin e politikës në Shqipëri.
Edhe pse do të ishte mirë që numri i tyre të ulej, kjo bie ndesh me interesat e kryetarëve të partive, që listën e kandidatëve kanë kthyer në merkato, për të vendosur sipër atë që ofron më shumë.
Por, siç ka thënë edhe Ronald Reagan: “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”.