Mrekullitë ndodhin, historia e pazakontë e Xhuliana Kepke, adoleshentes që i mbijetoi rrëzimit të një avioni nga 3300 metra lartësi

Xhuliana Kepke është një emër për t’u mbajtur mend. Sepse adoleshentja arriti të pamundurën kur i mbijetoi një aksidenti ajror, që rezultoi fatal për të gjithë të tjerët që ishin në bordin e avionit. Për më tepër, ajo i mbijetoi një rënieje të lirë nga lartësia 3300 metra, diçka që me shumë gjasa do të kishte vrarë shumëkënd.

Gjatë fundit të viteve 1960 dhe viteve 1970, linja ajrore kombëtare peruane “Líneas Aéreas Nacionales SA” (LANSA) u trondit nga disa aksidente që shkaktuan vdekjen e mbi 200 njerëzve. Në vitin 1966, një avion i saj, Fluturimi 501, u rrëzua mbi një mal, duke vrarë të gjithë 49 personat që ndodheshin në bord.

Më pak se 4 vjet më vonë, Fluturimi 502, pësoi një fat të ngjashëm. Por nga 100 persona në bord, pati vetëm 1 të mbijetuar. Kur avioni u rrëzua, vrau në tokë edhe 2 persona të tjerë. Përgjatë viteve, kompania ajrore përdori një numër avionësh, përfshirë Lockheed L-188A Electra dhe L-749 Constellation.

Po ashtu ajo kishte si dentinacion 11 aeroporte, 9 në Peru, 1 në Honduras dhe 1 në Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht se LANSA kishte një imazh gjithnjë e më të keq, linja ajrore vazhdonte aktivitetin edhe në vitin 1971, pasi udhëtimi me avion ishte ende mënyra më e shpejtë dhe më e sigurt për të shkuar nga një qytet peruan në tjetrin. Më 24 dhjetor 1971, Fluturimi 508 i LANSA- s kishte planifikuar të shkonte nga kryeqyteti peruan Lima, në Pukalpa, rajonin qendror të vendit. Në bord ndodheshin 6 anëtarë të ekuipazhit dhe 86 pasagjerë. Midis këtyre të fundit edhe Maria Kepke dhe vajza e saj 17-vjeçare, Xhuliana. Të dyja po shkonin në Pukalpa për t’u takuar me bashkëshortin e Marias dhe babain e Xhulianës, Hans-Vilhelm Kepke, një zoolog gjerman që po kryente kërkime në Amazonë.

Vetëm 40 minuta pas ngritjes, avioni Lockheed L-188A Electra u përfshi në një stuhi të fortë me  rrufe të shumta. Njëra prej tyre e goditi në një moment rezervuarin e karburantit, duke bërë që krahu i djathtë i avionit të shkëputej nga trupi. Befas të gjithë në bord e kuptuan se rrëzimi i avionit ishte i pashmangshëm.

Ai po zbriste me shumë shpejtësi, duke filluar të shpërbëhej pjesë-pjesë teksa po i afrohej tokës. Më në fund, pas një rënieje të lirë nga një lartësi prej 3300 metrash, ai u rrëzua në mesin e pyllit gjigant të Amazonës. Më pak se 1 orë nga nisja e udhëtimit, Xhuliana Kepke pa se ishte e mbijetuara e vetme.

Zemra ende i rrihte, dhe po ashtu punonte edhe ora e dorës, që tregonte se ishte ora 9:00 e mëngjesit kur ajo u përmend. Kjo do të thoshte se kishte qëndruar pa ndjenja thuajse një ditë të plotë. Edhe pse shpëtoi jetën, ajo ishte ende e plagosur rëndë.

I ishte thyer klavikula, kishte prerje të thella në këmbë dhe shpatull, dhe vuante nga një tronditje e madhe psikologjike. Kur avioni po shpërbëhej, vajza adoleshente, ende e lidhur me rripat e sigurimit në ndenjësen e saj, kishte rënë përmes kurorës së dendur të një pylli të lashtë tropikal, gjë që e zbuti pjesërisht rënien e saj dhe në tokë.

E tronditur, Xhuliana nisi të thërrasë nënën e saj, por ato që iu përgjigjën ishin vetëm tingujt e Amazonës. Megjithatë, vajza e një zoologu, që kishte kaluar një vit e gjysmë duke jetuar në një stacion kërkimor mbi pyjet e shiut, kujtoi këshillat që kishte marrë nga i ati.

Ajo nisi të kërkojë ushqim në rrënojat e avionit, por gjeti vetëm një pako me karamele. Duke qenë se ishte miope dhe i kishte humbur syzet, e kishte të vështirë të shihte se ku po shkonte.

Po ashtu, shikimi i ishte dëmtuar edhe nga dekompresimi i papritur i kabinës së avionit. Kur pa disa kufoma të shpërndara nëpër xhungël, adoleshentja hoqi dorë nga ideja fillestare se nëna e saj mund t’i kishte mbijetuar përplasjes. E pikëlluar, ajo nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të vazhdonte të ecte nëpër pyllin e shiut, në përpjekje për të dalë sa më shpejt prej andej.

Adoleshentja ishte pickuar shumë herë nga insektet, e prera e thellë në krahun e saj po infektohej nga krimbat që ushqeheshin me të, ndërsa dielli po i përcëllonte lëkurën. E vetëdijshme se zona ishte e infektuar me gjarpërinj helmues, ajo hidhte sandalet përpara për të testuar terrenin.

Edhe pse kjo ia ngadalësoi shumë lëvizjen, rezultoi të ishte shumë e dobishme, pasi nuk hasi gjarpërinj gjatë rrugës. Grupet e kërkim-shpëtimit kishin nisur punën, por dendësia e madhe e pyllit, nënkuptonte që toka mezi dukej nga ajri. Kërkimi për një rrugëdalje nga xhungla e çoi Xhulianën në një përrua të vogël.

Ajo e dinte se ndjekja e tij në drejtim të rrymës nga rridhte, do ta nxirrte përfundimisht nga xhungla. Ndaj pavarësisht se ishte e plagosur, adoleshentja vazhdoi të ecte për një javë e gjysmë, në fillim përgjatë përroit, pastaj buzë një lumi më të madh.

Në një moment, ajo e ndjeu se nuk mund të ecte më. Por pak më vonë iu shfaq një pamje aq e mahnitshme, sa që fillim iu duk si një haluçinacion. Në breg të lumit ndodhej një motobarkë të vogël me një bidon benzinë. Siç e kishte mësuar nga babai i saj, benzina ishte një armë e fuqishme në luftimin e krimbave mishngrënës.

Ajo e leu krahun me benzinë dhe i dëboi ata. Rreth 1 orë më vonë, pronarët e varkës (banorë të zonës) u rikthyen tek barka. Ata u trembën aq shumë nga pamja e saj, saqë në një moment u bindën se ajo ishte një shpirt i ujërave aty pranë, siç rrëfehej në legjendat dhe mitet e të parëve.

U duk sikur problemet e Xhuliana Kepkes nuk do të përfundonin kurrë, por ajo dinte mjaftueshëm spanjisht për t’u shpjeguar atyre se çfarë kishte ndodhur. Ata i dhanë ndihmën e parë dhe pas një udhëtimi 7-orësh me varkë për në fshatin më të afërt, Xhuliana u transferua me avion në spitalin e Pukalpës.

Atje, ajo u ribashkua me babain e saj dhe filloi të shërohej nga plagët dhe traumat që kishte përjetuar. Lajmi mbi të mbijetuarin e vetme të aksidentit ajror, që kishte marshuar shumë ditë nëpër xhungël, u përhap me shpejtësi dhe gazetarët nxituan të kapnin ekskluzivitetin.

Ndërsa ishte ende i shtruar në spital, adoleshentja u intervista nga shumë gazetarë. Madje disa prej tyre shkuan aq larg sa të hynin të maskuar si mjekë apo infermierë. Kur e mori veten, Xhuliana ndihmoi në gjetjen e vendit të përplasjes të avionit, dhe në gjetjen e trupave të atyre pasagjerëve që nuk kishin qenë aq me fat sa ajo ditën e aksidentit.

Më pas u kthye në Gjermani, ku përfundoi rikuperimin e saj fizik. Fatkeqësia e saj, nuk ishte diçka që ajo donte ta ndante me të tjerët. Në fund e vazhdoi jetën e saj, duke ndjekur hapat e të dy prindërve të saj. Pas studimeve për biologji në Gjermani dhe mbarimit të doktoraturës. në mamologji, ajo u rikthye në Peru, ku kreu kërkime mbi popullatat e lakuriqëve të Amazonës.

U duk sikur e kishte harruar traumën. Por në një intervistë për “Vice” dekada më vonë tregoi e trauma i kishte mbetur. “Kam pasur makthe për një kohë të gjatë, për vite të tëra. Pikëllimi për vdekjen e nënës sime dhe të njerëzve të tjerë në atë avion më rikthehet herë pas here. Më përndjek gjithmonë mendimi:Pse isha e vetmja që mbijetova?”-u shpreh ajo.

Përkthyer nga The Vintage News