Moti i keq “gjunjëzon” vendin/ Rruga e Arbrit e pakalueshme, makina me 3 persona bllokohet nga dëbora në Qafën e Murrizit

Një makinë brenda se cilës ndodhen tre perosna është bllokuar në Qafën e Murrizit për shkak të reshjeve të dëborës që kanë rënë pa ndërprerë gjatë orëve të fundit.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit teksa, ekipet e emergjencës ndodhen në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

“Në Qafën e Murrizit (Rruga e Arbrit) u bllokua nga dëbora një automjet me 3 persona. Sot në orët e para të mëngjesit është nisur një automjet tip “Buldozer” dhe një autoambulancë. Ekipet e emergjencës po përpiqen të ndihmojnë qytetarët e bllokuar”, thuhet në njoftimin e Emergjencave Civile.

Ministria e Mbrojtjes po ashtu në një njoftim zyrtar bëri me dije për zonat dhe akset më problematike në vend.

Në bashkinë Dibër janë bllokuar disa qendra administrative me akset kryesore si; Lurë, Selishtë, Luzni, Kala e Dodës dhe Zall Dardhë.

– Në bashkinë Bulqizë janë të bllokuara njësitë administrative Ostren, Trebisht.

– Në bashkinë Klos janë bllokuar rrugët dytësore të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Suç, Gurë dhe Xibër.

– Në bashkinë Mat janë bllokuar disa rrugë të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Macukull, Lis, Derjan dhe Komsi.

– Aksi rrugor Peshkopi-Ulëz, në vendi e quajtur Qafë Ulëz ka qenë e bllokuar për shkak të pranisë së dëborës, akullit dhe mjeteve që lëvizin pa goma dimërore. Ditën e sotme qarkullimi kryhet normalisht.

– Rrugët rurale që lidhin bashkinë Fushë-Arrëz me njësinë administrative Iballë dhe fshatrat e saj janë të bllokuara.

– Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, në vendin e quajtur kthesat e “Murrashit: ka patur  prezencë inertesh në rrugë. Në Qafë Thanë pati reshje dëbore të cilat kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve të rënda. Gjatë natës dhe në orët e mëngjesit të ditës së sotme po vijon puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugës ne aksin Qafë Thane – Pogradec. Qarkullimi kryhet me goma dimri.

– Në aksin rrugor Tiranë-Elbasan në dalje të tunelit, pati probleme me qarkullimin pasi terreni ishte shumë i lagësht dhe me ngrica. Qarkullimi u krye vetëm në një sens lëvizje. Gjatë natës dhe ditën e sotme është bërë shpërndarja e kripës dhe qarkullimi behet me goma dimri.

– Në bashkinë Krujë, aksi rrugor Cudhi Kamp-Qafështamë është i bllokuar nga reshjet e dëborës.

– Në aksin rrugor Vuno – Himarë, në vendin e quajtur ura e Vishës ka rënë një masiv shkëmbor. Rruga është e kalueshme në një sens lëvizje dhe po punohet për hapjen e krahut tjetër.

– Rruga për në Shëngjergj, bashkia Tiranë është e vështirë për tu kaluar nga sasia e reshjeve të dëborës.

– Në Lanabregas si pasojë e bllokimit të kolektorit ka patur prezencë të ujit duke rrezikuar përmbytjen e një banese.

– Në segmentin Fresku – Trau Dajt, në km 5 pati rrëshqitje të skarpatës duke bllokuar njërën prej korsive. Po punohet për pastrimin e rrugës.

– Në bashkinë Vlorë, situata është e qetë. Nuk ka prezencë uji në qytet.

.