MOSBINDJA CIVILE/ Sot protesta e madhe e opozitës, bllokohen rrugët dhe blindohet Kryeministria, çfarë pritet të ndodhë

Mosbindja civile zbret sot në shesh, pas protestave dhe përplasjeve që ndodhën në dy seancat e fundit plenare në Kuvendin e Shqipërisë.

Mijëra qytetarë dhe mbështetës të opozitës pritet të mbushin sot sheshet e Tiranës, në një protestë që sipas zyrtarëve të PD-së do të jetë si kurrë më parë, pasi nuk do të ketë fjalim, por vetëm veprime të qytetarëve.

Organizatorët e protestës janë treguar të ngurtë përsa i përket skenarit të marshimit të qytetarëve, por dihet vetëm që do të nisë nga Kryeministria, për të tentuar më pas bllokimin e disa akseve kryesore në Tiranë, për të paralizuar trafikun e kryeqytetit.

Policia e shtetit ka vendosur në gatishmëri rreth 1500 efektivë, ndërkohë që janë marrë masat edhe te Kryeministria, dyert e së cilës janë blinduar, ndërkohë që është hequr edhe instalacioni i kërpudhës që ndodhet në lulishten e këtij institucioni.

RENEA, FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës do të jenë gati në çdo rast, ndërsa në terren do të përfshihen edhe agjentë civilë.

Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në takimin me shefat e komisariateve, u ka dhënë porosi të qarta që të kos provokohen nga protestuesit dhe të ketë sa më pak ndërhyrje.

“Kujdes mos u provokoni nga protestuesit. Ndërhyrjet të jenë të minimizuara, vetëm në raste nevoje. Mos të krijohen përplasje të provokuara. Ruani qetësinë dhe godinat e institucioneve”, mësohet të ketë thënë Proda.

Protesta do të nisë në orën 18:00, ku pjesë e saj do të jenë deputetët e Partisë Demokratike dhe pjesa më e madhe e aleatëve të tyre. Protesta pritet të nisë paqësore, por nuk dihet nëse do të mbyllet e tillë, pasi siç kanë deklaruar edhe zyrtarët e PD-së, do të jenë qytetarët që do të veprojnë.