Ka zgjatur rreth 3 orë protesta e opozitës që shënon fillimin e mosbindjes civile, sipas asaj që kanë deklaruar zyrtarët e Partisë Demokratike.
Protesta ishte parashikuar të fillonte në orën 18:00, por deputetët demokratë dhe ata të Partisë së Lirisë, së bashku me Ilir Metën, kanë dalë nga selitë e tyre më shumë se 30 minuta me vonesë, ku iu janë bashkuar qytetarëve në shesh.
Ndryshe nga herët e tjera, protesta nuk filloi me fjalime, por me përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, fillimisht te Kryeministria, ku u hodhën disa bomba molotovë dhe u dogjën pemët në afërsi të këtij institucioni.
Më pas protestuesit u nisën drejt selisë të Partisë Socialiste, ku “rrebeshe molotovi” u hodhën në drejtim të selisë rozë, e për pasojë u dogj edhe baneri me foton e Edi Ramës dhe sloganin “Vetëm Përpara”.
Pas selisë së PS-së, ata u nisën drejt Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës, ku nuk munguan molotovi dhe gazi lotsjellës i policisë për të shpërndarë turmën. Për shkak të hedhjes së molotovët nga protestuesit, u rrezikua jo pak herë jeta e policëve dhe gazetarëve.
Por në tentativën për të “djegur” edhe Kuvendin, protestuesit u gjetën të papërgatitur përpara sasisë së madhe të gazit lotsjellës të hedhur nga policia, duke u shpërndarë në vetëm pak minuta. Më pas vijoi një marshim drejt selisë së Partisë Demokratike, ku Flamur Noka njoftoi përfundimin e protestës së sotme, por tha se mosbindja civile do të vijojë.
“Regjimi narkos i tërbuar mori një mesazh: jepi zgjidhje kërkesës së qytetarëve, jepi zgjidhje qeverisë teknike, ndryshe narkosi në pushtet nuk do të ketë paqe asnjëherë. Beteja me qytetarët nuk fitohet me gaz as me dhunë. Ne do të vazhdojmë mosbindjen civile, narkosi duhet të largohet dhe ti hapë rrugën një qeverie teknike që ti afrojë vendit një qeveri teknike. Ne do të jemi në mosbindje civile”, tha Noka ndër të tjera.