Ndryshimi i kabinetit qeveritar nga kryeministri Rama ditën e djeshme ishte si një rrufe në qiell të hapur për disa prej ministrave. Përveç Belinda Ballukut që i kishte kaluar koha e shkarkimit, por më mirë vonë se kurrë, Elisa Spiropali ishte largimi i papritur, pasi nuk kishte as gjashtë muaj në detyrë.
Elisa Spiropali e mori detyrën si ministre pasi shërbeu për disa kohë si kryetare e Kuvendit, një post të cilin tregoi se nuk e mbante dot, për shkak të mosarritjes së administrimit siç duhej të seancave plenare, ku iu hodhën akuza jo vetëm nga opozita, por edhe nga vetë mazhoranca.
Posti i Ministres së Jashtme dukej se ishte shpërblimi që Rama i dha Spiropalit pas disa viteve besimi dhe qëndrimi në krah të tij, një shpërblim që dukej sikur ajo po e priste prej kohësh, pas shumë zhgënjimesh kur shihte të tjerët se si merrnin postet që ajo ëndërronte.
Por largimi i Elisa Spiropali nga posti i ministres së Jashtme, pa mbushur as gjashtë muaj në detyrë, është një nga shembujt më të dukshëm të mënyrës se si trajtohen figurat e forta brenda Partisë Socialiste. Largimi i saj i shpejtë tregon se për Ramën, emërimet janë shpesh një mënyrë për të testuar aftësinë dhe besnikërinë, dhe jo për të ndërtuar një karrierë të qëndrueshme në një prej ministrive.
Rasti i Spiropalit nuk është i vetëm, pasi një histori e ngjashme është edhe ajo e Taulant Ballës, i cili nuk zgjati as një vit si ministër i Brendshëm. Edhe për Ballën, ashtu si për Spiropalin, posti si ministër ishte shpërblimi aq shumë i pritur pas shumë vitesh besnikëri ndaj kryetarit. Por shkurtësia e mandatit e bëri të pamundur të konsolidohej si lider.
Largimi i tij pa mbushur një vit në detyrë ishte sinjal i një modeli të qartë, ku individët e fortë politikisht përdoren, por nuk u jepet pushtet për shumë kohë.
Të dy këto raste tregojnë një filozofi të qartë të Ramës: pavarësisht forcës, aftësive apo kontributit politik, besimi i dhënë është i përkohshëm. Spiropali dhe Balla mund të përdoren kur nevojitet, të ekspozohen në media, të mbajnë vijën politike dhe të shërbejnë si figurë publike, por nuk u lejohet të kenë ndikim afatgjatë në vendimmarrje.
Këto dy figura tregojnë se brenda PS-së, pushteti i vërtetë nuk lidhet me aftësitë apo meritat. Për Ramën, rëndësi ka të jesh i përdorshëm dhe i dukshëm, pasi vendimet dhe kontrolli mbeten në duart e tij.
Mesa duket, të qenit figurë e fortë politike nuk është e mjaftueshme për të fituar besimin e kryeministrit, pasi ai do të vijojë të të përdorë për të marrë votat dhe pushtetin, ndërsa të tjerët do të duhet të kënaqen me pak, aq sa ka dëshirë t’u japë shefi i tyre.