Me pankartat “Gazetarët nuk heshtin”, “Ne s’jemi kriminelë që na sillni polici e ushtri” apo “Mos e fikni të vërtetën” gazetarët kanë protestuar sot para ambienteve të televizionit News 24 pasi që prej ditë së shtunë i është fikur sinjali.
Mëngjesin e së shtunë, forca të shumta policia rrethuan godinën duke mos lejuar gazetarët të futen në redaksi për të vijuar punën e tye si përditë me pretendimin se kjo godinë duhet t’i kalojë kompanisë shtetërore “KAYO”, dhe sipas tyre ka një vendim gjykatë për këtë vendim.
Gazetarja dhe drejtoresha e TV News24, Anila Jole e përlotur foli për punën e saj ndër vite në këtë televizion. Po ashtu ajo tha se gjatë natës ka ndërhyrë IKMT dhe është prishur tuneli që lidh dy godinat, News 24 dhe Panorama TV.
Ndërkohë gazetari Osman Stafa u shpreh se janë 230 punonjës që prej 3 ditësh nuk hyjnë në zyrat e tyre.
Ai theksoi se News24 i ka hapur dyert cdo problematike të qytetarëve dhe ka denoncuar ngjarjet korruptive në vend.
Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Log” në News24 Endri Xhafo kërkoi leje për t’u kthyer në godinë dhe mbylljen e kësaj praktike të rrezikshme që po dëmton lirinë dhe funksionimin e medias.
“Ne kërkojmë garantimin e kushteve optimale për punën, sepse kur pengohet puna e gazetarëve, nuk humbet një televizion, por humbet gjithë shoqëria.
Ne kërkojmë të lejohemi të punojmë, kërkojmë kthimin në godinë dhe mbylljen e kësaj praktike të rrezikshme. Ky është një test për shoqërinë tonë, por edhe për ne vetë“- tha ai mes të tjerash.
Protesta vazhdon, ndërsa gazetarët dhe shoqëria civile kërkojnë një zgjidhje ligjore dhe respekt për lirinë e medias në Shqipëri.