Ka patur debate të ashpra dhe më pas është anuluar dëgjesa e kryetares së SHISH Vlora Hyseni, me arsyetimin se deputetët e opozitës nuk kanë patur certifikatë sigurie. Opozita kishte kërkuar një raportim të saj në Këshillin e Sigurisë pasi e akuzon atë se ka bërë një vizitë sekrete në Serbi, pak para rritjes së tensioneve me Kosovën.
Brenda Komisionit ka patur debate të forta të cilat janë zhvilluar mes drejtuesit të komisionit Nasip Naço, dhe deputetëve të PD-së Ervin Salianji, Ferdinand Xhaferri e Flamur Noka. Kjo pasi ndërkohë që pritej të raportonte Hyseni, deputetët e opozitës kërkuan fjalën por Naço tha se mbledhja nuk do të fillonte, pasi deputetët nuk kishin certifikatën e sigurisë dhe ai nuk mund të shkelte ligjin.
Nga ana e tyre deputetët demokratë i kanë kërkuar që të mos sillet në Komision sikur është pronar.
Pjesë nga debati:
Salianji: Duhet të respektosh procedurën se nuk e keni pronën tuaj këtu. Na jepni fjalën
Naço: Ti kujton se po më lëviz ndonjë qerpik mua.
Salianji: Mbledhje nuk do të bëni ju këtu. Shkoni dhe bëjeni në sallë tjetër. Pse çfarë e ke ti pronë? Mirë, merre dhe fute në xhep
Naço: Po jo mo çfarë xhepi, ja tek e ke
Salianji: Keni frikë të përballeni me ne
Naço: Po ça frikë ore, dilni nga depresioni që jeni futur, ça frike kemi ne?
Salianji: Je bërë edhe psikolog
Naço: Unë e kuptoj se shyqyr që janë mediat dhe po bëni protagonistë. Mos ta mbyll fare unë këtë. Dilni nga depresioni njëherë pastaj… 5 minuta pushim
Ferdinand Xhaferri: Po po na mbytën skandalet, me korrupsion me krim të organizuar, me skandale seksuale, por në depresion jemi se jemi të mbytur.
Naço: 5 minuta pushim, kush nuk ka certifikatë sigurie të largohet nga salla. Unë nuk e shkel më ligjin.
Naço: Nëse bën pyetje të karakterit të sekretit shtetëror do ta ndërpres fjalën.
Salianji: Po ku e di ti ore
Naço: Se njeh ti ligjin më mirë se unë po lërë tani
Salianji: Mos bëj si gangster se nuk e bën dot ore
Naço: Po përmend emra që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare
Salianji: Më lër të mbaroj fjalën. Ti nuk je pronar o burr. Kur të shkosh në fshat ik bëj si kapadai. Ose zbato rregullat ose mbylle mbledhjen. Para ligjit s’je asgjë
Naço: Seanca mbyllet këtu
Salianji: Ik ore kapadai i fshatit.