Çdo mëngjes, kamionët e mbeturinave përshkojnë kryq e tërthor kryeqytetin shqiptar, Tiranën, përpara se të nisen drejt vendgrumbullimit të Sharres, një “mal” në rritje mbetjesh në periferi të qytetit.
Shtatë vjet pas premtimit të qeverisë për ndërtimin e një impianti modern për përpunimin e mbetjeve në energji, projekti mbetet i papërfunduar dhe është nën hetim për korrupsion.
Tirana, ku jeton afërsisht një e treta e popullsisë së Shqipërisë — rreth një milion banorë — prodhon pothuajse gjysmën e mbetjeve urbane në vend.
Zgjerimi i shpejtë i qytetit ka tejkaluar ndjeshëm kapacitetet e infrastrukturës: grumbullimi i mbetjeve është i parregullt, riciklimi thuajse nuk ekziston, dhe vendgrumbullimi kryesor është pranë mbushjes së plotë.
Kriza e mbetjeve në një pikë kritike
Eksperti mjedisor Olsi Nika, drejtor i organizatës joqeveritare EcoAlbania, thotë se kriza e mbetjeve në kryeqytet ka arritur në një pikë kritike.
“Ky nuk është thjesht keqmenaxhim, është një sistem që kurrë nuk ka funksionuar siç duhet,” i tha ai DW-së. “Inceneratorët që supozohej të zgjidhnin problemin, nuk kanë funksionuar kurrë, dhe pikat e grumbullimit rreth tyre janë tejmbushur. Në Sharrë është hapur një sektor i ri, por nuk mund të zgjerohet pafundësisht.”
Situata në Tiranë pasqyron një problem më të gjerë në gjithë vendin.
Sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), vendi gjeneroi rreth 820 mijë tonë mbetje urbane në vitin 2022. Gati 77% përfundoi në landfille, më pak se 20% u riciklua, dhe pjesa tjetër ose u dogj, ose nuk u mblodh fare.
Për Olsi Nikën, këto shifra tregojnë sa i brishtë është sistemi.
“Pushtetet vendore nuk kanë kapacitetet dhe koordinimin e nevojshëm për të menaxhuar mbetjet siç duhet,” thotë ai. “Shumica operojnë pa infrastrukturë të përshtatshme, dhe ndarja e mbetjeve në burim pothuajse nuk ekziston.”
Menaxhimi i mbetjeve, kyç për anëtarësimin në BE
Ndërsa Shqipëria përparon në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, reforma mjedisore është kthyer në një ndër sfidat më të mëdha.
Menaxhimi i mbetjeve, që dikur shihej si çështje lokale, sot është në qendër të agjendës së anëtarësimit në BE.
Kapitulli 27 i negociatave, që mbulon çështjet e mjedisit dhe klimës, konsiderohet gjerësisht si më i ndërlikuari dhe më i kushtueshmi për t’u përmbushur.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar atë si “kapitullin më sfidues të negociatave dhe pjesën më të vështirë të procesit të anëtarësimit,” duke pranuar se progresi në përpunimin e mbetjeve ka qenë i kufizuar.
A do të sjellë ndryshim plani i qeverisë?
Qeveria ka reaguar duke paraqitur një projektligj për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve dhe ka njoftuar krijimin e një Operator Kombëtar të Mbetjeve — një agjenci publike që do të koordinojë grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve në nivel kombëtar.
Reforma përfaqëson një ndryshim të modelit aktual, ku menaxhimi i mbetjeve është përgjegjësi e bashkive, drejt një sistemi të centralizuar që synon të rrisë efikasitetin dhe të harmonizojë legjislacionin me standardet mjedisore të BE-së.
Olsi Nika thotë se reforma mund të ndihmojë, por vetëm nëse shkon përtej ristrukturimit institucional.
“Centralizimi mund të përmirësojë koordinimin,” shpjegon ai, “por pa vullnet politik, transparencë dhe financim, ligji i ri do të përfundojë njësoj si strategjitë e mëparshme.”
Nga lumenjtë te turizmi: kostoja e neglizhencës
Denisa Kasa, një aktiviste mjedisore 25-vjeçare, kalon fundjavat pranë lumenjve të ndotur të Shqipërisë.
Vitën e kaluar, ajo themeloi “Rrjedha,” një nismë qytetare që synon të eksplorojë dhe pastrojë lumenjtë e vendit.
Ajo që nisi si një aktivitet i vogël, sot përfshin mbi 180 vullnetarë nga gjithë Shqipëria.
“Shumë lumenj janë kthyer në sisteme transporti për mbetjet,” i tha ajo DW-së. “Në disa fshatra nuk ka koshë apo shërbime pastrimi, kështu që njerëzit i hedhin mbetjet direkt në lumë ose përgjatë brigjeve të tij.”
Me fushatat e pastrimit, vullnetarët synojnë të angazhojnë komunitetin dhe të nxisin pjesëmarrjen në aktivitetet e ardhshme.
Por Kasa thotë se ndërgjegjësimi ende mungon. “Shpesh njerëzit presin që ndryshimi të vijë nga diku tjetër, jo prej tyre,” thotë ajo. “Institucionet mjedisore kanë bërë shumë pak për të ndërtuar një kulturë të tillë.”
Turizmi dhe paradoksi mjedisor
Eksperti Olsi Nika thekson se problemi shkon përtej asaj që shihet me sy të lirë.
“Nuk është më vetëm një burim ndotjeje,” shpjegon ai. “Lumenjtë e shpërndajnë mbetjen në tokë, në ujërat nëntokësore, dhe në ajër kur plastika digjet. Me kalimin e kohës, ajo zbërthehet në grimca mikroskopike që hyjnë në zinxhirin ushqimor – një kërcënim i padukshëm, por i përhapur.”
Për Denisa Kasën, ndotja bie ndesh me imazhin që qeveria përpiqet të promovojë për një Shqipëri mikpritëse për turistët.
“Turizmi duhet të jetë gjëja e fundit që promovojmë nëse nuk dimë të menaxhojmë mbetjet,” thotë ajo. “Vizitorët shohin plastikë përgjatë rrugëve, lumenjve dhe plazheve — të njëjtën natyrë që përpiqemi të reklamojmë.”
Kasa thekson se edhe vetë turizmi kontribuon në përkeqësimin e problemit: “më shumë plastikë, më shumë konsum. Pa një sistem të duhur menaxhimi, kjo mund të kthehet shumë lehtë në një bumerang.”
“Shqipëria të mahnit ende me natyrën e saj,” shton ajo, “por është e vështirë të mos zhgënjehesh me mënyrën si trajtohet.”
***Titulli është redaksional, titulli i shkrimit të DW: Ndërsa ekonomia e Shqipërisë rritet, rriten edhe sfidat me menaxhimin e mbetjeve