Mitsotakis mbledh liderët e Ballkanit, Bajram Begaj refuzon ftesën

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, do të organizojë një darkë informale me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të rajonit që janë pjesë e Bashkimit Europian. Darka do të mbahet në 21 gusht në Pallatin Maximos, ku do të jenë pjesëmarrës edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Ftesën deri më tani e ka konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ai i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo.

Përsa i përket Shqipërisë, Mitsotakis i ka dërguar ftesë Presidentit Bajram Begaj dhe jo kryeministrit Rama. Burime bëjnë me dije se Presidenti e ka refuzuar këtë ftesë, ndëkrohë që nuk bëhen të ditura arsyet.

Pjesë e darkës do të jenë edhe kryeministri bullgar Nikolai Denkov, ai rumun Ion-Marcel Ciolacu dhe kroati Andrej Plenkoviç. Mediat e huaja bëjnë me dije se biseda do të fokusohet në zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit me rastin e 20-vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe “Deklaratës së Selanikut”.

Pjesëmarrja e Bajram Begajt do të ishte një mundësi e mirë që Presidenti i ri të njihej akoma më shumë me qëndrimet e secilit lider të Ballkanit në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet shteteve, por Presidenti duket se është i zënë me festën e birrës në Korçë, ty ku nuk ngurroi ta pranojë ftesën.