Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis është konfirmuar në detyrë pasi mori një fitore të thellë në raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare në Greqi. Rezultatet tregojnë se 98.2% e vendit është blu me përjashtim të Rodopit ku SYRIZA ishte partia e parë.
Në rang vendi Demokracia e Re ka marrë 40.56%, SYRIZA 17.83%, PASOK/KINAL 11.86%, KKE 7.68%, Spartanët 4.67%, Hellenic Solution 4.45%, Victory 3.69% dhe Freedom Sailing 3.17%.
Për këtë rezultat kaq të thellë reagoi dhe vetë kryeministri Mitsotakis, i cili pasi falenderoi grekët për mbështetjen, premtoi se do të punojë me të gjithë forcën për të përmbushur ato që qytetarët kërkojnë.
“Ndjej detyrën t’i shërbej vendit me të gjitha forcat e mia, grekët na kanë dhënë një mandat të fortë për të ecur në rrugën e ndryshimeve të mëdha e të nevojshme. Unë do të jem kryeministër i të gjithë grekëve, problemet nuk kanë ngjyrë. Kur hodha hapat e parë në politikë 20 vjet më parë, nuk e prisja të kisha një mandat kaq të fortë”, tha Mitsotakis nga selia e Demokracisë së Re në Pire.
Më tej, kryeministri i sapo rikonfirmuar deklaroi se vendin e presin reforma rrënjësore që do ta transformojnë vendin.
Ndërkohë që në Parlamentin grek rikthehet dhe partia nacionaliste “Spartanët”.
“Pas një kohe të gjatë një parti nacionalistësh rikthehet në parlament. Ne nuk vijmë për të ndarë, por për të bashkuar. Motoja jonë kryesore është bashkimi, diçka që iu mungon sot grekëve”, u shpreh lideri i Spartanëve, Vassilis Stigas.
Sekretari i Partisë Syrizas, Alexis Tsipras e cilësoi shumë të rëndë rezultatin e zgjedhjeve për partinë e tij. Ai deklaroi se populli grek foli qartë dhe për këtë arsye Syriza do të shkojë në një proces riformatimi ku do kërkohet mendimi dhe votëbesimi i anëtarësisë.
Kujtojmë që këto zgjedhjet janë raundi i dytë dhe mbahen 30 ditë pas zgjedhjeve parlamentare ku konservatorët arritën fitore me diferencë të madhe ndaj të majtëve, por nuk mundën të siguronin shumicën parlamentare për shkak të sistemit të thjeshtë proporcional.