Partia Demokratike e bëri dje hapin e parë drejt “luftës” së vitit 2025, ku do të kërkojë të largojë nga froni kryeministrin Rama, që prej 3 mandatesh drejton Shqipërinë, mes skandaleve dhe propagandës.
Në mbledhjen e Kryesisë, PD bëri publike listën me drejtuesit politikë në qarqe, që do të tentojnë të përmbysin rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021. Me një kryetar në “arrest shtëpie” dhe me një bashkim të brishtë të partisë, duket se puna e drejtuesve të rinj politikë do të jetë shumë më e vështirë nga çfarë parashikohet.
Të përmbysësh rezultatet në çdo qark përballë një force politike që qeveris vendin prej 3 mandatesh dhe ka burime të shumta njerëzore dhe financiare, duket një mision i pamundur i komandantëve të rinj demokratë.
Por le të marrim me radhë çdo qark:
Në Tiranë janë të shumta mundësitë të kemi sërish një përballje Këlliçi – Veliaj, pasi i pari është konfirmuar si drejtues politik i PD-së, ndërsa kryebashkiaku pritet të rikonfirmohet si drejtues i socialistëve. Në zgjedhjet e vitit 2021, rezultati ishte 18-15 për socialistët, por zgjedhjet vendore të vitit 2023 treguan se ky rezultat mund të thellohet.
Belind Këlliçi duket se do të ketë shumë punë për të bashkuar të gjithë demokratët e Tiranës nën një logo të vetme, pasi pritet që edhe Enkelejd Alibeaj të formojë forcën e tij politike.
Durrrësi i është besuar Oerd Bylykbashit, me këtë të fundit që do të duhet të rekuperojë rezultatin e 3 viteve më parë. Ky qark ka qenë gjithmonë i luftuar deri në votën e fundit, por socialistët kanë sërish disa pikë më shumë, falë edhe pushtetit që kanë.
Agron Gjemarkajt i është besuar sërish qarku i Lezhës, një nga të paktët qarqe ku PD fitoi në zgjedhjet e kaluara. Por, synimi i Ramës për të marrë 84 mandate do të thotë se kryeministri pret një ndryshim rezultati edhe në Lezhë, nga 4-3 për demokratët, në 3-4 për socialistët. Detyra e Gjekmarkajt, të ndalojë rrjedhjen e votave.
Një emër i ri për Shkodrën, ai i Luçiano Boçit, të vetmit demokrat që arriti të thyejë listën në zgjedhjet e vitit 2021. Si nënkryetar i partisë, atij i është besuar një bastion i demokratëve, por që vitet e fundit ka marrë drejtimin shumë majtas, siç u pa edhe në zgjedhjet vendore, ku socialistët fituan për herë të parë Bashkinë e Shkodrës me Benet Becin.
Në Fier, në hambarin e votave socialiste, është vënë në krye të detyrës Gazment Bardhi, një nga eksponentët më të rëndësishëm të partisë. Të përmbysësh rezultatin në Fier është thuajse e pamundur, por duket se detyra e Bardhit do të jetë të paktën mbajtja e 6 mandateve në atë qark.
Kukësi nuk ka shumë për të thënë, pasi rezultati nuk ka shumë gjasa të ndryshojë, për shkak se ka vetëm 3 mandate, ku 2 i ka marrë PD dhe 1 PS. Në këtë qark është vendosur drejtues Flamur Hoxha, i cili do të udhëheqë edhe listën e kandidatëve.
Xhelal Mziu do të ketë detyrën e vështirë që të mbajë rezultatin 3-2 të demokratëve në Dibër, pasi diferenca në vitin 2021 ishte shumë e vogël, vetëm 548 vota. Por, nëse përballë do të ketë Ulsi Manjan siç përflitet, detyra vështirësohet edhe më shumë.
Në Elbasan, qarkun më problematik të vendit, PD ka vendosur t’ia besojë një prej deputetëve më të zëshëm të saj, Ervin Salianjit. Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2021 ishte 8-6 për socialistët, por diferenca e votave ishte e frikshme, ndaj ekziston mundësia që ky rezultat edhe mund të thellohet. Nëse drejtues politik i PS-së në këtë qark rikthehet Taulant Balla, atëherë për Salianjin gjërat bëhen edhe më të vështira.
Korça i është besuar Ivi Kasos, që do të ketë një detyrë të vështirë, në një qark ku palët janë ndarë me vetëm 1 deputete, 6-5 për Partinë Socialiste. Por, rezultati mund të ndryshojë, nëse demokratët nuk arrijnë t’i bashkojnë të gjitha votat në një logo të vetme, dhe nëse kjo ndodh, PS është gjithmonë e gatshme të përfitojë.
Eno Bozdo ka marrë drejtimin e qarkut të Beratit, por përmbysja e rezultatit, ashtu si në Fier, është në kufijtë e të pamundurës. Për Bozdon, do të ishte fitore marrja e një mandati më shumë se në zgjedhjet e kaluara.
Në Vlorë, qarkun që voton më pak në Shqipëri, nga PD do të jetë sërish drejtues Bujar Leskaj. Rezultati 8-4 i zgjedhjeve të vitit 2021 tregon shumë, ndaj detyra e Leskajt është që të mbajë këtë rezultat, për të mos lënë socialistët të rrëmbejnë edhe mandatin e 9-të.
Tritan Shehu do të drejtojë Gjirokastrën, me synimin që të marrë një mandat më shumë, për të barazuar rezultatin në 2-2. Detyra do të jetë e vështirë, por jo e pamundur si në rastin e disa prej kolegëve të tij.