Janë zbardhur përgjimet mes anëtarëve të grupit të Suel Çelës, që u godit nga SPAK, ku pjesë e bandës kriminale ishte edhe ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu.
Kjo e fundit kishte komunikim vetë me drejtuesin e bandës, sipas përgjimeve të zbardhura nga mediat. Suel Çela dhe Pajtime Fetahu kanë komunikuar me njeri-tjetrin në Sky ECC, duke treguar edhe një marrëdhënie të ngushtë mes tyre.
Në një moment Fetahu i drejtohet Suel Çelës: “Mirëmbrëma o ylli” e ditën tjetër i drejtohet duke i thënë “Mirëmbrëma o i bukri i dheut!”. Një pjesë e bisedave të zbardhura janë kryer në 29.5.2020, kur Fetahu ishte ende në detyrë në gjykatën e Elbasanit.
Në dosje është e përfshirë edhe vajza e Pajtime Fetahut, Megi Fetahu, e cila informon përmes SKY, Klaus Matishin. Janë Kalus Matishi dhe Megi fetahu, që luajnë rolin e ndërmjetësit herë pas here mes Çelës dhe ish-gjyqtare. Megjithatë për vajzën e ish-gjyqtares nuk ka asnjë masë sigurie deri tani nga ana e SPAK.
Kujtojmë se SPAK lëshoi 21 masa sigurie në lidhje me këtë operacion që u krye në bashkëpunim me Europol, teksa drejtohej nga Suel Çela. Rol kyç kishte në këtë organizatë edhe vëllai i tij, Mario Çela, i cili u arrestua në Belgjikë.