Miratohet paga minimale 50 mijë lekë, hyn në fuqi nga 1 janari

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, u vendos që paga bazë minimale mujore për punonjësit në gjithë vendin të jetë 50 mijë lekë për 174 orë pune në muaj, gjatë kohës normale të punës.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe do të ketë efekt financiar që nga 1 janari 2026.

“Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
Paga bazë minimale mujore jepet për 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026”-bën me dije Agjencia për Media dhe Informim.

Ndërkohë po gjatë mbledhjes së sotme është vendosur emërimi i Andrea Shllakut si zëvendësministër i Mbrojtjes.

Më herët Shllaku mbante detyrën e drejtorit të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.