Miratohet nisma për Forcën Rezerviste/ Ministri i Mbrojtjes: Synojmë të kemi rreth 2100 pjesëtarë deri në vitin 2030

Për pesë vitet e ardhshme, plani është që ushtria shqiptare të fuqizohet me 2100 forca rezerviste. Ky është synimi i projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë.

Ky projektligj u miratua më 26 nëntor në Komisionin e Ligjeve. Duke sqaruar thelbin e kësaj nisme, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha se synimi kryesor është shtimi i kapaciteteve ushtarake për misionet jashtë vendit ashtu dhe në përballimin e fatkeqësive natyrore.

“Një arsye që na ka shtyrë për ta sjellë këtë projektligj në kuvend është edhe situata e sigurisë kohët e fundit. Sipas planit deri në 2030, të kemi 2100 rezervistë, nëse nuk kërkojnë kushtet më shumë. Është parashikuar edhe përfshirja e rezervistëve në misione jashtë vendit. Benefitet e kësaj nisme ka të bëjë me rritjen e burimeve njerëzore, ka kosto më efektive pasi rezervistët janë me kohë të pjesshme dhe me kosto të ulët në raport me ushtarakun me kohë të plotë. Po ashtu rritet gatishmëria e mbrojtjes dhe shumëfishon forcat për misione apo angazhime në rastet e fatkeqësive ”, tha Vengu.

Ministri tha se mund të angazhohen ish-ushtarakë dhe jo ushtarakë, por dhe persona të tjerë, të cilat nuk janë të dënuar.

“Mund të angazhohen shtetas të padënuar, ish-ushtarakë por edhe të tjerë që nuk kanë qenë ushtarakë. Pranohen deri në 50 vjeç për rezervistë, 55 vjeç për nën oficer dhe 60 vjeç për oficer”, tha Vengu.