Ministrja e Kurtit sulmon Ramën: E keqpërdori mikpritjen e Kosovës dhe foltoren e Kuvendit

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka sulmuar kryeministrin shqiptar Edi Rama për fjalimin që ai mbajti dje në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës së përbashkët të dy Parlamenteve.

Në një intervistë, ajo u shpreh se Rama e keqpërdori mikpritjen dhe Kuvendin e Kosovës, duke bërë fushatë jo transparente kundër qeverisë Kurti.

“Është e vërtetë që fjalimi i kryeministrit Rama nuk u përshtat me atmosferën. Fort e keqpërdori mikpritjen e Kosovës. Ai që vjen të bëjë fushatë, duhet të vijë të bëjë fushatë transparente dhe jo të vijë të keqpërdor foltoren e Kuvendit. Ishte e qartë. Ishte e pakëndshme atmosfera gjatë fjalimit të tij”, ka thënë Gërvalla.

Në fjalimin e djeshëm, Rama hodhi kritika për qeverinë Kurti për marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, teksa edhe dha këshillën që të ndërpriten negociatat me Serbinë pa ndërhyrjen e Bashkimit Europian.