Ministria e Drejtësisë ka nisur zyrtarisht procedurat për ekstradimin nga Franca të biznesmenit Ermal Beqiraj, në kërkim nga SPAK për skandilin e tenderëve të AKSHI-t.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë, kërkesa për ekstradim është përcjellë në përputhje me legjislacionin shqiptar, marrëveshjet ndërkombëtare dhe procedurat e bashkëpunimit juridik me Republikën Franceze.
Dokumentacioni është dërguar së bashku me materialet përkatëse të përcjella nga organi procedues.
“Ministria e Drejtësisë bën me dije se, në përputhje me legjislacionin shqiptar, marrëveshjet ndërkombëtare dhe procedurat e bashkëpunimit juridik me Republikën Franceze, ka përcjellë sot pranë autoriteteve kompetente franceze kërkesën për ekstradimin e shtetasit E. B., të përcjellë nga organi procedues, së bashku me dokumentacionin përkatës.
Vijimi i procedurës së ekstradimit do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin e Republikës Franceze dhe instrumentet ndërkombëtare në fuqi. Ministria e Drejtësisë do të vijojë të ushtrojë kompetencat e saj në këtë procedurë, në përputhje me ligjin dhe në bashkëpunim me autoritetet kompetente të të dy vendeve“, njoftoi Ministria e Drejtësisë.