Grabitet me armë zjarri argjendaria në Paskuqan

Një argjendari është grabitur nën kërcënimin e armës ditën e sotme në Paskuqan.

Sipas informacioneve paraprake, dy persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar një argjendari. Pas marrjes së sendeve me vlerë, dy autorët dyshohet se janë larguar me një motor.

Ndërkohë Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Më datë 05.08.2026, rreth orës 14:50, në Paskuqan, 2 shtetas ende të paidentifikuar, kanë hyrë në ambientet e argjendarisë në pronësi të shtetasit L. L. dhe duke kanosur punonjëset me send në dukje armë zjarri, kanë marrë një sasi bizhuterish.  

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë kontrolle për kapjen e autorëve. 

Grupi hetimor po punon për fiksimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre, si dhe dokumentimin e plotë të rastit.