Ministri Ulsi Manja kërkon votat e opozitës për amnistinë, thirrje nga Korça: Ta votojmë, ka qëllime humane

Nga qyteti i Korçës ku mori pjesë në përurimin e zyrës për shërbimin juridik falas, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka kërkuar votat e opozitës lidhur me amnistinë.

Duke qënë se ligji për amnistinë kërkon 84 vota, Manja u ka kërkuar kolegëve të opozitës për ta votuar në seancën e radhës.

Sipas Manjës, amnisitia ka qëllime humane duke u dhënë afro 700 të dënuarve të bashkohen me familjet e tyre.

“U përgjigjem të gjithë familjarëve të të dënuarve që presin nga ligji i amnistisë. Ministria e drejtësisë ka bërë detyrën, bëmë një draft të amnistisë, në vlerësimin tim si ministër është një amnisti e gjerë, e kaluam në qeveri dhe e depozituam në parlament. Amnistia ndjek qëllime humane, dhe qëllimi është rehabilitimi dhe riintegrimi i të dënuarve në shoqëri dhe familje, por ka dhe qëllimin se e lehtëson sistemin nga mbipopullimi. Ne detyrën tonë e bëmë dhe e dorëzuam draftin në parlament, por nuk e konsideroj si detyrë të kryer për sa kohë ligji i amnistisë nuk ka marrë votën e deputetëve në parlament. Është një ligj që kërkon 84 vota pra dhe votën e kolegëve të opozitës. Shfrytëzoj rastin sot nga Korça tju bëj thirrje kolegëve të opozitës, deputetëve të saj, që kanë qenë një shtysë e konsiderueshme për të bërë një draft ligji të amnistisë, që me fillimin e sesionit parlamentar në Janar të bashkojnë votat me ne, ta miratojmë këtë ligj, që tu japim mundësinë afro 700 të dënuarve të bashkohen me familjet e tyre. Duhet ta kishim bërë përpara vitit të ri por qe e pamundur. Mendoj që si mazhoranca dhe opozita kanë axhendat e tyre politike, por amnistia është akt humanizmi dhe deputetët përfaqësojnë popullin, marrin dhe sensibilitetet e tyre në zona edhe nga familjarët e të dënuarve. Jam besimplotë që edhe kolegët e opozitës do na bashkohen tani në Janar për tu dhënë mundësinë këtyre të dënuarve të përfitojnë një orë e më parë nga amnistia.

Parlamenti fillon të hënën e javës që vjen dhe drafti i ligjit të amnistisë është një nga aktet që presin në tryezën e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”- tha Manja.