Ministri italian e krahason Shqipërinë me vendet afrikane: Tani ta zgjerojmë marrëveshjen me Tunizinë, Egjiptin dhe Bregun e Fildishtë

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, ka folur për “Stampa-n” në lidhje me emigrantët afrikanë që shkojnë drejt Italisë dhe marrëveshjen me Shqipërinë për strehimin e një pjese të afrikanëve.

Ai u shpreh se marrëveshja me Shqipërinë “ka tërhequr vëmendjen e vendeve të tjera dhe mund të përsëritet, në Evropë dhe në Itali”. Sipas tij, tashmë marrëveshjet duhet të zgjerohen me vendet afrikane si Tunizia, Egjipti dhe Bregu i Fildishtë.

“Ana ekonomiko-sociale e vendeve të origjinës dhe tranzitit të migrantëve duhet të përmirësohet për të frenuar fenomenet e rregullta të emigracionit. Tani marrëveshjet duhet të zgjerohen: jo vetëm me Tunizinë, por edhe me Egjiptin, Bregun e Fildishtë dhe vende të tjera strategjike”, tha Piantedosi.

Përsa i përket strukturave që do të ndërtohen në Shëngjin dhe Gjadër, ministri italian tha se ato zona do të jenë pjesë e juridiksionit italian, me rregullat dhe personelin italian.

“Ajo zonë do të jetë subjekt i juridiksionit italian, do të jetë si një ishull italian me rregullat dhe personelin tonë”. Dhe ndoshta nuk do të mbetet unike. Ka interesim të madh nga shumë vende, si Gjermania. Do të prisja që projekti të zhvillohej përpara se të shfaqja mosbesim. Nuk mund të përjashtohet që edhe ne, nëse funksionon, mund ta përsërisim atë. Qëllimi është që të ketë prova të prekshme të projektit deri në gjysmën e parë të vitit 2024”, u shpreh ai ndër të tjera.