Ministri iranian i sportit: Nuk do të marrim pjesë në Kupën e Botës 2026

Ministri i Sportit i Iranit, Ahmad Donyamali, ka deklaruar se vendi nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës këtë verë, për shkak të sulmeve të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, nga të cilat u vra udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei.

Konflikti tashmë ka përfshirë edhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, ndërsa Irani është kundërpërgjigjur duke goditur baza ushtarake amerikane në rajon.

FIFA Ëorld Cup 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë gjatë muajve qershor dhe korrik.

Irani ishte planifikuar të përballej me Zelandën e Re dhe Belgjikën në Los Angeles më 15 dhe 21 qershor, si dhe me Egjiptin në Seattle më 26 qershor.

Megjithatë, Donyamali ka deklaruar se Irani nuk do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara për këtë turne, duke theksuar se “nuk ka asnjë mundësi” që skuadra të marrë pjesë.

“Që nga momenti kur ky regjim i korruptuar vrau udhëheqësin tonë, nuk ekziston asnjë kusht që ne të marrim pjesë në Kupën e Botës”, tha ai në një intervistë televizive.

“Në dritën e veprimeve armiqësore kundër Iranit, brenda tetë apo nëntë muajve na janë imponuar dy luftëra dhe disa mijëra nga njerëzit tanë janë vrarë. Prandaj, në këto rrethana, nuk kemi absolutisht asnjë mundësi të marrim pjesë.”

Deklarata e Donyamalit vjen pasi presidenti i FIFA, Gianni Infantino, kishte thënë se kishte marrë garanci nga presidenti amerikan Donald Trump se skuadra iraniane do të ishte “e mirëpritur” të merrte pjesë në Kupën e Botës këtë verë.

“Ne folëm gjithashtu për situatën aktuale në Iran dhe për faktin se kombëtarja iraniane është kualifikuar për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026”, shkroi Infantino në një deklaratë të publikuar në Instagram.

“Gjatë diskutimeve, Presidenti Trump ritheksoi se skuadra iraniane është, sigurisht, e mirëpritur të garojë në turneun që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara.”

Ai shtoi: “Të gjithëve na duhet një ngjarje si Kupa e Botës për të bashkuar njerëzit më shumë se kurrë dhe e falënderoj sinqerisht Presidentin e Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tij, pasi kjo tregon edhe një herë se futbolli bashkon botën.”