“Ministrat nuk i hoqi SPAK, por i largova njëherë unë”, Rama: Nuk lëshoj vetëm djalin e vogël nga ndonjë shkëmb mbi det

Në mbledhjen e jashtëzakonshme që po zhvillon me ministrat dhe deputetët socialistë, kryeministri Rama ka lënë të nënkuptohet se është një hap përpara SPAK, pasi ministrat që sot janë të dënuar apo të akuzuar, i ka hequr përpara se të zbuloheshin aferat korruptive.

Ndër të tjera, ai tha se Partia Socialiste dhe ai vetë nuk do të bëhet mburojë ndaj askujt gabon dhe do të bëjë një rrugë e dy punë, teksa shtoi se nuk lëshon vetëm djalin e tij të vogël kur do të hidhet nga ndonjë shkëmb i madh në det.

Deklarata e tij ishte një mesazh për këdo në qeveri apo administratë, se tashmë të gjithë do të duhet të përballen vetë me drejtësinë, duke mos marrë sadopak mbështetjen e kolegëve, siç ka ndodhur në disa raste me Saimir Tahirin apo Olta Xhaçkën.

“Rruga e jetës na bashkon me shumë të tjera. Puna që na lidh për një qëllim, na zgjidh me një vepër të ulët si tradhtia. Kam pasur fatin prej 10 vitesh që të punoj me 40 ministra; se kush lufton për qëllime të përbashkëta, ka mbështetjen time dhe më ka në krah kurdoherë që do të sulmohet. Por kush gabon duke menduar se do të bëjë një rrugë dhe dy punë, s’do të më ketë mua në krah dhe PS, por vetëm avokatin e vet. Qeveria ime ka ndryshuar dhe ministrat e mi kanë ndryshuar. Por ky parim s’do të ndryshojë deri sa të jem unë. Unë nuk lëshoj vetëm djalin e vogël në ndonjë shkëmb mbi det kur do të hidhet. Por nuk mbaj asnjë burrë kur vjen ora të hidhet. Jo po skam bërë gjë, jo më bien në qafë, s’ka. Nëse s’ke bërë gjë, të mban e vërteta.

Në 40 e ca ministra që kam punuar, ai grusht ministrash socialistë që kanë sot lidhje me akuza, dënime apo procedime në vazhdim, nuk janë larguar nga SPAK, por janë larguar njëherë nga unë. Por t’i bësh sot pis të gjithë, t’i quash të gjithë hajdut, të bësh gjyq politik duke i marrë disa shembuj të drejtësisë që jemi ne që krijuam kushtet që ata shembuj të krijohen, si argument për të përbaltur një punë kolosale, rezultate të gjithëpranuara, progresin që kanë kontribuar qeveritë tona, është një histori e denjë për studime neuropsikologjike. E nëse të gjithë ministrat kanë lëvizur për të dinamizuar më tej punën, unë s’kam qenë asnjëherë mburojë për asnjë. E kundërta është e vërtetë.

Jua kam thënë jo 1 herë disave këtu dhe ndonjërit që nuk është këtu se zgjodhi të bëjë një rrugë e dy punë. Mos e ngatërroni kurrë punën e përbashkët me shoqërinë që na lidh privilegji për të punuar, me asnjë dërrasë të kalbur ku mund të shkelni. Nuk jam unë dhe PS që e lëshon, është ai që e ka lëshuar. Pastaj kur thotë se Rama i përdor dhe i hedh si limona të shtrydhur. I dëgjoj dhe kur përsërisin pa pushim, s’ka mundësi të mos i dijë Edi Rama horrlliqet e një personi. Ose më dinë si veten, ose nuk e kanë haberin si funksionon pushteti ekzekutiv.

Ky nuk është shfajësim apo justifikim, por realiteti i punës time si kryeministër. Kush ka punuar dhe punon me mua, e di sa shumë debatohet kur nuk ka dakordësi”, tha Rama ndër të tjera.