Minatorët e Bulqizës bojkotojnë punën: Na trajtojnë si të burgosur, duam rritje pagash dhe pushim në fundjavë

Minatorët e Bulqizës janë bërë bashkë duke kundërshtuar shfrytëzimin nga punëdhënësit e tyre.

Ata kundërshtojnë urdhrin e kompanisë për të punuar edhe ditët e shtuna, në kundërshtim me kontratën e punës.

Minatorët kërkojnë që të bëhet rritja e pagave siç ishte planifikuar në fillim të muajit Janar. Ata thonë se kushtet janë të vështira dhe trajtohen si të ishin të burgosur.

“Kërkojmë të drejtat tona. Rritje page dhe të shtunën nuk jemi dakord që ta bëjmë punë. Në kontratë e kemi patur për jo. Tani duan të na bëjnë të shtunat punë. Rritje page nuk ka, vetëm na shfrytëzojnë në maksimum, si të burgosur. Kushtet e punës janë copë copë, nuk kemi asgjë. Po nuk na plotësuan kushtet si rritje page dhe e shtuna të mos miratohet për punë, nuk jemi dakord për të filluar punën”, tha një prej minatorëve.

Për shkak se nuk i lejojnë të grumbullohen, minatorët kanë zgjedhur si formë proteste bojkotimin e punës. Ata theksojnë se kanë nisur mosbindjen e tyre javën e shkuar.