MIKROKREDITË/ Banka e Shqipërisë lejoi për 4 vite “terrorizimin” e qytetarëve, si mazhoranca e mbrojti Sejkon në Komisionin e Ekonomisë

Institucionet e mikrokredive filluan të lulëzojnë në Shqipëri disa vite më parë, për shkak të pagave të ulëta në vend dhe pamundësisë së qytetarëve për të plotësuar të gjitha nevojat familjare.

Për këto kompani, shqiptarët ishin “peshq të lehtë”, pasi pjesa dërrmuese e popullsisë ishin në vështirësi financiare, ndërkohë që duke qenë një risi, askush nuk i dinte mirë përgjegjësitë që kishte kur hidhte firmën mbi kontratat shumëfaqëshe të këtyre kompanive.

Por 4 vite më parë nga qytetarët filluan denoncimet për disa nga këto kompani, se si për shuma të vogla monetare, u ishin marrë pronat me anë të përmbaruesve privatë. Për 4 vite denoncimet shtoheshin gjithmonë e më shumë, teksa edhe në media pasqyrohej grabitja që po u bëhej shqiptarëve.

Pavarësisht të gjithave, Banka e Shqipërisë nuk vendosi të bëjë asgjë, por t’i lejojë këto kompani të vijonin të merrnin pronat e qytetarëve. Do të duhej të vinte një hetim i nisur nga prokurori i Tiranës, Leonard Filopati, që kjo çështje të merrej shumë seriozisht.

Ai e referoi rastin në Prokurorinë e Posaçme, pasi sipas tij kishim të bënim me një grup të strukturuar kriminal, ku të përfshin ishin jo vetëm pronarët e këtyre kompanive zhvatëse, por edhe përmbarues privatë dhe zyrtarë të tjerë.

Pas fillimit të hetimeve nga SPAK, erdhi edhe reagimi i parë nga Banka e Shqipërisë. Guvernatori Gent Sejko, përpara se të paraqitej në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend për këtë çështje, vendosi të “mbyll dyert” për mikrofinancën e kredive të shpejta, duke mos licencuar asnjë kompani të re.

Lexo edhe: Skandali i tjetërsimit të pronave, SPAK po heton edhe guvernatorin Gent Sejko, BSH “mbyll dyert” për mikrofinancën e kredive të shpejta

Ndërkohë, në Komisionin e Ekonomisë, i pyetur nga deputeti Agron Shehaj se përse Banka e Shqipërisë nuk kishte marrë asnjë masë ndaj kompanive “Final” dhe “MCA”, u shpreh se heqja e licencës ndaj tyre nuk do të ishte zgjidhja e duhur.

Në Komisionin e Ekonomisë ai u mbrojt me fanatizëm edhe nga deputetët e mazhorancës, të cilët nuk lejonin kolegët opozitarë t’i kërkonin llogari se përse dy kompani u lanë të grabisin shqiptarët për 4 vite, pavarësisht se denoncimet ishin të shumta.

Vetëm dje, pas shumë denoncimesh dhe faktesh, si dhe pas fillimit të hetimit nga SPAK, ku nën hetim është edhe Gent Sejko, Banka e Shqipërisë vendosi më në fund t’u heqë licencat dhe t’i nxjerrë nga tregu dy subjekte financiare jobanka, përkatësisht licencën e shoqërisë “Final” sh.p.k. dhe të shoqërisë “Micro Credit Albania” sh.p.k.

Lexo edhe: Dorëzohet Sejko, firmos heqjen e licensave të kompanive që zhvatën miliona euro të shqiptarëve

SPAK ka lëshuar urdhër arreste për 9 persona, të përfshirë në tjetërsimin e pronave. Togat e zeza kanë caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasit Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato dhe Arben Meskuti. Nën masën e sigurimit arrest në shtëpi janë lënë Jorsida Dervishi, Alketa Tanishi, Kejda Seri dhe Elda Ibro.

Lexo edhe: Qytetarit i bllokuan 14 pasuri për 348 mijë lekë detyrim, një tjetri 22 Ha tokë për 1 mln lekë, detaje nga skema e mashtrimeve me mikrokreditë