Biznesmeni Pëllumb Gjoka, i arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza” është tërhequr nga gjykimi i shkurtuar. Përmes avokatit të tij, Gjoka thotë se çështja nuk mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet dhe se veçimi e dëmton çështjen.
“Patëm pritshmëri nga Gjykata Kushtetuese për të deklaruar të pavlefshme provat e marra nga komunikimet në SKY ECC, por nga Kushtetuesja kemi një vendim “as mish, as peshk”- është shprehur avokati i biznesmenit, të shpallur investitor strategjik.
Përveç Gjokës, edhe Edmond Preka nuk pranoi gjykimin e shkurtuar duke kërkuar që procesi të zhvillohet me rregullat e gjykimit të zakonshëm.
Në seancën e sotme në GJKKO, të pandehurit e tjerë Asmer Bilali, Ardit Hasanbega, Oltion Bistri, ish-prokurori Xhevahir Lita dhe Behar Behajroviq kërkuan gjykim të shkurtuar dhe veçim të çështjes.
“S’ka kërkesa për marjen e provave të reja, nuk ka kërkesa për pavlefshmëri të provave. Kërkojmë të ndahet çështja ndaj tij”, tha Elton Domi, avokati i Oltion Bistrit.
“Kërkoj gjykim të shkurtuar. Për ndarjen e çështjes e lëmë në vlerësim të gjykatës”, theksoi Elton Hyseni, avokat i Behar Bajroviq.
Por SPAK doli kundër kërkesës se 5 të pandehurve me argumentin se kjo mund të ndikojë negativisht në shqyrtimin e përgjithshëm të dosjes.
“Provat janë të përshkruara konkretisht nga faqja 86-100. Të dhënat e SkyECC janë harmonizuar me prova të tjera. Për ndarjen e çështjes jemi kundër sepse mund të dëmtohet shqyrtimi i çështjes“- tha prokurori Arben Kraja.