Ish-presidenti i vendit, Ilir Meta i është kundërpërgjigjur Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, lidhur me trajtimin e tij në paraburgim.
Në një postim në Facebook, Meta tregon kushtet te Jordan Misja, ku siç shkruan ai, vjetëm dje ka ikur 42 herë energjia elektrike.
Meta i drejton disa pyetje ministrit Lamallari, të cilin e ironizon si “Diella” e Drejtësisë, ku i ngre shqetësimet dhe problematikat me të cilat përballen të burgosurit, si mungesa e dritave, ujit apo edhe shërbimeve shëndetësore.
“Ndërsa lidhur me respektimin e të drejtave të mia dua t’u kujtoj të gjithë qytetarëve që akoma nuk më kanë dorëzuar të zbardhur, as mua, as avokatit tim, vendimin e 2 korrikut 2025, të dënimit tim të dytë nga IEPV “Jordan Misja” për lirinë e fjalës”- shkruan Meta mes të tjerash.
Reagimi i Metës:
Dëgjova “Diellën” e Drejtësisë që fliste për situatën në burgje dhe meqë nuk e di po e njoftoj që vetëm dje ka ikur 42 herë energjia elektrike te IEPV “Jordan Misja”, jo vetëm për mua, por për rreth 500 të burgosur e të paraburgosur që ndodhen këtu.
A e di “Diella” e Drejtësisë që këtu ka vetëm 3 orë ujë në ditë?
A e di “Diella” e Drejtësisë që në burgje vdesin qytetarë për mungesën e trajtimit të duhur shëndetësor?
A e di “Diella” e Drejtësisë që gardianët nuk kanë marrë asnjë qindarkë shpërblim për punën jashtë orarit, as ushqimin, as trajtimin që meritojnë sipas ligjit?
E ç’mund të presësh nga “Diellat”?
Ato janë pjellë e AKSHI-t, simbolit të korrupsionit skizofrenik.
Ndërsa lidhur me respektimin e të drejtave të mia dua t’u kujtoj të gjithë qytetarëve që akoma nuk më kanë dorëzuar të zbardhur, as mua, as avokatit tim, vendimin e 2 korrikut 2025, të dënimit tim të dytë nga IEPV “Jordan Misja” për lirinë e fjalës.